Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se të hënën do të nënshkruhet marrëveshja për Zyrën e Punës në Luginë të Preshevës, raporton Ekonomia Online.
Hoti gjatë një konference për medie së bashku me përfaqësuesit e Luginës së Preshevës, ka thënë se gjatë muajit shkurt do të fillohet studimi i gjendjes ekonomike të shqiptarëve të Luginës.
“Ne i kemi thirru për të diskutuar për programin e punës së zyrës në Preshevë dhe një grup i personave kanë punuat në mbikëqyrjen e deputetit Bislimi për të përgatitur këtë program të punës dhe pas takimit do ta nënshkruajmë këtë program pune. Është paraparë takimi i parë me liderët e Luginës së Preshevës, po ashtu do të kemi takim informues me organizata rinore. Në shkurt do të fillojmë studimin e gjendjes ekonomike të shqiptarëve në Luginë. Në shkurt do të fillon puna e ruajtjes së trashëgimisë kulturore, do të punojmë në universitete publike dhe ato private për ti bërë gati marrëveshjet”, tha Hoti.
Ai ka mohuar se takimi me përfaqësuesit e Luginës po përdoret për fushatë zgjedhore, por ka thënë se është qasje serioze e kujdesit ndaj tyre.
“Ju mund të interpretoni si të doni këtë veprim që e kemi bërë sot dhe as njëherë nuk ka pasur qasje më serioze për tu kujdesur për të drejtat e shqiptarëve të Preshevës”, është shprehur Hoti.
Ndërsa, Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa, tha se me hapjen e zyrës së Punës, po futen nën përkujdesje të shtetit të Kosovës.
Ai tha se shumë shpejt do të bëhet edhe emërimi i drejtorit të zyrës.
“Ne bashkërisht u dakorduam për programin e punës për vitin 20201, përfundimisht po futet nën ombrellën përkujdesjes shtetërorë. Shumë shpejt do të bëhet edhe emërimi i drejtorit të zyrës dhe krahas saj kjo zyre të marr funksionimin dhe me këtë program të mundohemi bashkërisht që tu ju japim përgjigje sfidave”, tha ai.