Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se në Shtëpinë e Bardhë, janë marrë gjithmonë vendime strategjike që kanë quar në liri e pavarësi të vendit.
Ai ka thënë se nuk do të jetë ndryshe as në takimin e 4 shtatorit që do të mbahet në Uashington.
Hoti përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Qeveria e Kosovës do të prezantoj projekte të mëdha infrastrukturore dhe energjike të cilat do të jenë të rëndësishme për vend.
Postimi i plotë i tij:
Delegacioni i Kosovës në Uashington do të ketë takime në Shtëpinë e Bardhë, me Sekretarin e Shtetit Pompeo, me zyrtarë të MCC-së, të DFC-së, me përfaqësues të komunitetit shqiptar në SHBA, me rrjetin e bizneseve të mërgatës në SHBA etj.
Në Shtëpinë e Bardhë janë marrë gjithmonë vendime strategjike që kanë quar në liri, pavarësi dhe integrim euro-atlantik të shtetit të Kosovës. Nuk do të jetë ndryshe edhe këtë herë.
Qeveria e Kosovës do të prezantojë projekte të mëdha infrastrukturore dhe energjetike që kontribuojnë në zhvillimin dhe krijimin e vendeve të punës në Kosovë, por që ndikojnë në integrimin më të mirë të Kosovës në tregun regjional dhe evropian.