Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, përmes një postimi në Facebook ka thënë se operacioni i mbrëmshëm në Karaçevë është dëshmi se institucionet e sigurisë janë të afta të garantojnë rend dhe ligj.
Një aksion i mbrëmshëm i Policisë në Karaçevë ka rezultuar me 33 të arrestuar, dhjetë prej tyre policë. E me këtë rast janë ndaluar disa veprimtari të jashtëligjshme, përfshirë kontrabandim me njerëz, trafikim me armë, lojëra të fatit e aktivitete të tjera kriminale.
“Operacioni i policisë në Karaçevë, i mbështetur edhe nga mekanizmat tjerë, është dëshmi se institucionet tona të sigurisë janë plotësisht të afta për të garantuar rend dhe ligj për qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Hoti.
Sipas tij ky është vetëm fillimi i kthimit në normalitet në çdo fushë.
“U jam mirënjohës të gjithë atyre që me përkushtim e profesionalizëm planifikuan dhe zbatuan një operacion kompleks e delikat. Ky është vetëm fillimi i kthimit të normalitetit në çdo fushë”, ka shkruar Hoti.