Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, ka reaguar pas kritikave që ka bërë udhëheqësi i Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur, Bajram Çerkini, në një intervistë publikuar sot në Ekonomia Online.
“Çfarëdo deklarate e familjarëve që shpreh ankesë apo frustrim për mua është e kuptueshme, e drejtë dhe e pritshme”, shkruan Hoti.
Mirëpo, ai thekson se padrejtësia me fatin e personave të zhdukur, plaga jonë e pashëruar për gati 22 vjet nga lufta, nuk mund t’i faturohet kësaj qeverie dhe asnjë qeverie të vendit tonë.
Bajram Çerkini ka deklaruar për EO se Qeveria e Kosovës nuk e ka një plan-program për të punuar për çështjen e të pagjeturve.
Ai ka theksuar se kjo Qeveri para se të vijë në pushtet ka premtuar shumë, por ka bërë pak punë.
REAGIMI I PLOTË I HOTIT:
Sot në media janë transmetuar disa deklarata të z. Bajram Qerkini nga artikulli me titull “Qerkini thotë se Qeveria nuk ka plan-program për të pagjeturit: Kurti na takoi veç për vota”, ndaj të cilit, edhe pse nuk do të doja asnjëherë, s’mundem pa i thënë disa fjalë.
Në kuadër të lutjeve të mia të vazhdueshme publike po e përsëris edhe një herë: që grupet politike, mediat apo individë me agjenda të caktuara, të mos e përdorin çështjen e të pagjeturve për interesa politike apo të çfarëdo lloji tjetër, sepse është joetike, e pamoralshme dhe fyese për këtë plagë ende të hapur të shoqërisë tonë.
Që, tendenca e barazisë së kriminelit me viktimen, është e pafalshme, dhe nuk do të lejohet asnjëherë!
Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur nuk është një pozitë për ta afirmuar veten apo për të bërë avokatin e kryeministrit Kurti, por e vërteta është më komplekse dhe më brutale.
Çfarëdo deklarate e familjarëve që shpreh ankesë apo frustrim për mua është e kuptueshme, e drejtë dhe e pritshme.
Mirëpo, padrejtësia me fatin e personave të zhdukur, plaga jonë e pashëruar për gati 22 vjet nga lufta, nuk mund t’i faturohet kësaj qeverie dhe asnjë qeverie të vendit tonë.
Baci Bajram e din mirë këtë, sidomos duke pasur parasysh se ai e drejton Qendrën Burimore Multietnike në Mitrovicë.
Me gjithë përpjekjet e institucioneve tona dhe organizatave e partnerëve ndërkombëtarë, Serbia vazhdon ta keqpërdorë këtë çështje për motive politike.
Ende sot, 22 vjet pas luftës, sfidë kryesore e këtij procesi është mungesa e informacioneve të besueshme lidhur me fatin e më të dashurve tanë.
Ende sot, 22 vjet pas, Serbia vazhdon t’i mbajë të fshehura krimet e luftës në Kosovë, duke përfshirë zhdukjen me dhunë të njerëzve tanë.
Prandaj, fajësimi i njërës apo tjetrës Qeveri në Kosovë është i padrejtë, dhe mund të jetë vetëm i nxitur nga motive të caktuara.
Ndërkaq, tendenca e faturimit të 22 viteve në pesë muajt e angazhimit tim si kryesues, jo vetëm që është e padrejtë dhe e papranueshme, por duke pasur parasysh takimet e shpeshta e punën e përbashkët, është edhe joetike.
Për hir të opinionit publik dua t’i them edhe disa fakte:
Sidoqoftë, qëllimi i vetëm i KQPZH dhe i familjarëve është zbardhja e fatit të personave të zhdukur, i prezantuar disa herë në takime dhe në media.
Adresimi i sfidave është plani ynë primar.
Marrja dhe trajtimi i informacioneve të besueshmë, trajtimi i lokacioneve të dyshuara për varreza masive dhe individuale në teritorin e Kosovës dhe në Serbi, trajtimi i eshtrave të paidentifikuara që gjenden në Morgun e Prishtinës, presioni i shtuar ndaj Serbisë përmes formave të ndryshme, në takimet dypalëshe, multilaterale, në kuadër të dialogut të Brukselit dhe përmes shteteve mike si SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, etj.
Në fund po e përsëris: Duke bashkëndjerë dhimbjen me z. Çerkini dhe të gjithë familjarët e tjerë që kanë vuajtur shumë duke kërkuar më të dashurit e tyre, ju siguroj për përkushtimin dhe angazhimin e pandalshëm të institucioneve shtetërore në zbardhjen e fatit të më të dashurve tanë.