Ministri i Financave në detyrë Avdullah Hoti ka fajësuar PDK-në si partner qeverisës për mos funksionalizimin e Pakos Fiskale 2.0.
Ai ka thënë për Ekonomia Online se Pako Fiskale 2 ka qenë dy herë në rend dite në mbledhje të Qeverisë, por sipas tij, PDK-ja nuk ka lejuar që kjo të kalojë.
“Pakoja Fiskale 2.0 është e përgatitur në detaje, dy herë ka qenë në rend dite të Qeverisë dhe është hequr nga rendi i ditës për shkak të çështjeve të ndryshme të partnerëve të koalicionit. Ne kemi bërë të gjitha përgatitjet për të zbatuar sa më parë këtë pako fiskale”, ka thënë Hoti.
Ai ka përmendur edhe hulumtimin që është bërë nga Oda Ekonomike e Kosovës për ambientin e të bërit biznes në Kosovë, ku thotë se të gjithë indikatorët tregojnë një trend pozitiv nga dhjetori i vitit 2014 e këndej. Madje sipas tij, në krahasim me periudhën para 2014-ës këta indikatorë kishin trend të rënies dhe ishin negativ.
Hoti thekson se rezultatet pozitive të cilat kanë ndodhur në ekonominë e vendit gjatë qeverisë “Mustafa” e kanë penguar partnerin e tyre të koalicionit PDK-në. Madje ai thotë se këto ishin arsyet që PDK-ja nuk e vazhdoi bashkëqeverisjen me LDK-në.
“Ne kemi parë një zhvillim ekonomik në këto dy vite që është rreth 4 për qind, krahasuar me 2.1 për qind sa e kemi trashëguar, kemi implementuar Pakon e parë fiskale në vitin 2015 që i ka kushtuar buxhetit të shtetit 47 milionë euro, duke i mbështetur bizneset, por ka gjeneruar qarkullim në ekonomi rreth 2 miliardë euro, vetëm taksat shtesë që janë mbledhur nga ky qarkullim ishin rreth 400 milionë euro më shumë. Këto janë rezultate të pakontestueshme, sepse janë shifra konkrete”, ka thënë Hoti.
Ai beson se shumë shpejt do të përmbyllet cikli i formimit të institucioneve të reja dhe do të vazhdojnë zbatimin e reformës ekonomike që e kanë nisur.
Hoti ka lavdëruar punën e qeverisjes nga LDK-ja duke thënë se trendët ekonomikë për 7 ose 8 vitet e fundit nuk kanë qenë asnjëherë më mirë se sa tani.
Ndërsa, shkuarja në zgjedhje të parakohshme për të është veçse një ngadalësim i ritmit të zbatimit të reformave. Madje ai shprehet i bindur se LDK-ja do të formojë Qeverinë e re.