Për nder të 21-vjetorit të çlirimit të Kosovës, kryeministri Avdullah Hoti ka bërë homazhe te shtatorja e heroit Zahir Pajazitit, raporton Ekonomia Online.
Nga aty, Hoti tha se kjo ditë është e veçantë për nga dita e rëndësisë, duke shtuar se duhet të jemi falënderues ndaj partnerëve ndërkombëtarë.
“Sot së bashku me kabinetin qeveritar bëmë nderime në këto tri vende simbolike të luftës dhe rezistencës së popullit të Kosovës për liri dhe Pavarësi”.
“Është ditë e veçantë si shumë ditë tjera për popullin e Kosovës, por kjo e ditës së sotme vërtetë është e veçantë sepse këtë ditë e kemi parasysh entuziazmin dhe emocionet që i kemi përjetuar në ato ditë të qershorit kur trupat e NATO-s futeshin në Kosovë”.
“Ajo është memoria jonë si qytetarë që duhet të mbajmë mend gjithmonë duhet të jemi falënderues ndaj partnerëve tanë ndërkombëtarë”, tha Hoti.
Ai fillimisht ka bërë homazhe te shtatorja e ish-presidentit të Kosovës dhe te Memoriali i ushtarëve të rënë të NATO-s.
Hoti do të marrë pjesë edhe në hapjen për vizitorë të ish-Burgut të Prishtinës, i cili në të ardhmen do të shndërrohet në muze.