Avdullah Hoti, ish-kryeministër i Kosovës ka shprehur kritika për performancën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Forumin Botëror Ekonomik që po mbahet në Davos të Zvicrës.
Sipas Hotit thirrjet për investitorë dhe paralajmërime për konflikt nuk shkojnë bashkë.
Ish-kryeministri Hoti ka zbuluar se Kurti ka organizuar një minikonferencë për investime, për të cilën e ka paguar një kompani konsulente 58,341.19 franga zvicerane pa asnjë procedurë prokurimi.
”Shkon në Davos dhe e organizon një minikonferencë për investime, për të cilën e paguan një kompani konsulente 58,341.19 franga zvicerane pa asnjë procedurë prokurimi“, ka shkruar Hoti në Facebook, të mërkurën.
“Por, në dhomën tjetër, kërkon nja 70 trupa më shumë të KFOR-it nga Finlanda, edhe pse KFOR-i e rrit dhe e zvogëlon numrin e ushtarëve brenda natës sipas nevojës që ka”, vazhdon ai.
Deputeti opozitar pyet se ”çfarë mesazhe janë këto dhe çfarë promovimi i investimeve është ky?“.
”Kush po e këshillon kështu“, vazhdon pyetja e Hotit.
”Kah na shpie kjo qasje në fushën e politikës dhe të ekonomisë?“, shton ai.