Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka folur pas takimit me kryetarët komunave, ku është diskutuar për fillimin e vitit të ri shkollor, raporton Ekonomia Online.
Hoti nuk ka bërë të ditur nëse në këtë takim është marrë ndonjë vendim, por ka thënë se takimi ka qenë shumë i rëndësishëm.
Ai ka thënë se master plani për vitin e ri shkollor do të miratohet së shpejti në Qeveri.
“Diskutuam për ndarjen e këtij buxheti prej 10 milionë eurosh, plus shtesa prej 29 milionë eurosh që komunat i kanë në dispozicion për t’i shpenzuar për çështje të ndryshme”.
“Biseduam gjerësisht për fillimin e vitit të ri shkollor. U prezantua master plani se si hapen shkollat dhe çfarë ndodh në rast se në një shkollë na paraqiten raste me COVID-19”.
“Bëmë një vlerësim të situatës me pandeminë. U dakorduam se si do të veprojmë tutje. Unë jam tejet i kënaqur me diskutimin me kryetarët e Komunave”.
“Master plani do të kalojë në qeveri dhe vendimit do ta marrë Ministria e Arsimit duke shqyrtuar protokollet se çka do të ndodhë nëpër shkolla. Sa i përket buxhetit, komunat kanë në dispozicion 29 milionë euro”.
“Nuk është fare çështja te buxheti, por është tek procedurat që duhet të ndiqen”.
Ai ka folur edhe për masa të reja ndaj pandemisë, ku ka thënë se nuk pritet të ketë lehtësim të tyre, ndërsa është shprehur i kënaqur me respektimin e atyre aktuale nga qytetarët.
“Nuk them se do të shkojmë nga lirimi i masave, pro ajo çfarë po vërejmë është se është krijuar një kulturë e respektimit të tyre, nuk sheh qytetarë pa maska”, ka thënë Hoti.