Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha se Lëvizja Vetëvendosje, nuk dëshiron që të marrë pjesë e as të votojë rezolutën për fuqizimin e Policisë së Kosovës, sepse nuk dëshiron që opozita t’i marrë meritat, raporton Ekonomia Online.
Ai ka theksuar se kjo pikë nuk duhet të ishte çështje ballafaqimi midis pozitës dhe opozitës. Sipas Hotit, shtesat e rrezikshmërisë, sigurimi shëndetësor dhe pensionimi i parakohshëm nuk do të duhej të refuzoheshin.
“Është çështje ekzistenciale për 7,000 familje të policëve. Qysh ia shpjegon këtë policit që e çon në veri dhe shtesën nuk ia qet. Nuk ka kuptim kjo sjellje. Është shqetësuese që hyni në vitin e katërt të qeverisjes dhe keni menaxhuar me 8.63 miliardë. Ku kanë shkuar këto para?”.
“Seanca e sotme jep një pasqyrë jo të mirë për vendin, një seancë e thirrur nga opozita. Kjo nuk ka kuptim për ballafaqimin parlamentar. Nëse e shihni me kujdes, rezoluta e propozuar nga opozita është shumë parimore. Janë tri kërkesa shumë të arsyeshme dhe parimore të propozuara nga opozita. Por, ju nuk doni që opozita t’i marrë këto kredi – thënë në aspektin politik”.
Mazhoranca edhe herën e kaluar e ka bojkotuar seancën e jashtëzakonshme.