Hoti: Pse duhet bizneset të blejnë qymyr tre herë më të shtrenjtë në Serbi kur Kosova fle mbi të

Prishtinë | 09 Mar 2023 | 09:15 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, në një postim në Facebook ka shkruar se Kosova fle mbi qymyr, mirëpo bizneset blejnë qymyr tri herë më të shtrenjtë në Serbi.

Ai ka shkruar se bizneset e kanë blerë thëngjillin nga ndërmarrja “Kosova Thëngjilli”, mirëpo KEK nuk ka kontratë aktive me këtë kompani.

“Një numër i bizneseve në Kosovë e përdorin qymyrin për ngrohje të hapësirave të punës apo në teknologjinë e prodhimit. Zakonisht këto biznese qymyrin e kanë blerë nga ndërmarrja “Kosova Thëngjilli”, e cila funksionin si shoqëri aksionare. Kjo ndërmarrje e ka blerë qymyrin nga KEK-u, e ka përpunuar atë dhe ua ka shitur bizneseve ose e ka eksportuar”, ka shkruar ai.

Hoti ka pyetur se për kur po ruhet qymyri dhe pse duhet bizneset të blejnë qymyr tri herë më shtrenjtë nga Serbia e nga vendet e tjera.

“Për kur po e ruajmë qymyrin? Çfarë strategjie është kjo? Pse duhet bizneset të blejnë qymyr tri herë më shtrenjtë nga Serbia e nga vendet e tjera? Pse të mos eksportohet qymyri kur tani ka kërkesë nga disa vende për shkak të krizës energjetike?”

Postimi i plotë:

Flemë mbi qymyr, por importojmë qymyr.

Një numër i bizneseve në Kosovë e përdorin qymyrin për ngrohje të hapësirave të punës apo në teknologjinë e prodhimit. Zakonisht këto biznese qymyrin e kanë blerë nga ndërmarrja “Kosova Thëngjilli”, e cila funksionin si shoqëri aksionare. Kjo ndërmarrje e ka blerë qymyrin nga KEK-u, e ka përpunuar atë dhe ua ka shitur bizneseve ose e ka eksportuar.

Kontrata e kësaj ndërmarrje me KEK-un nuk është aktive. Punëtorët e saj janë pa të ardhura. Sot bizneset private detyrohen të importojnë qymyr nga jashtë. Së paku 6 milion euro qymyr janë importuar vitin e kaluar. Qymyri është importuar edhe nga Serbia, me çmim prej 200 euro për ton, krahasuar me 60 euro për ton nga “Kosova Thëngjilli”.

Për kur po e ruajmë qymyrin?

Çfarë strategjie është kjo?

Pse duhet bizneset të blejnë qymyr tri herë më shtrenjtë nga Serbia e nga vendet e tjera?

Pse të mos eksportohet qymyri kur tani ka kërkesë nga disa vende për shkak të krizës energjetike?

Të ngjashme