Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha se është çështje ditësh ngase qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj do të bjerë vetë brenda ditësh.
Kjo, sipas Hotit, ngase kjo qeveri çdo vendim e merr në koordinim të plotë me Listën Serbe që është e dirigjuar nga Beogradi, raporton Ekonomia Online.
I pyetur për nisjen e një mocioni për rrëzimin e qeverisë, Hoti nuk ka deklaruar nëse kanë përkrahjen edhe të Vetëvendosjes.
“Është çështje ditësh kur Qeveria Haradinaj do të bjerë vetë. Ditët janë të numëruar për këtë çështje sepse ata marrin vendime me Listën Serbe”.
Hoti në një konferencë për media më tej shtoi se edhe Teuta Rugova është pjesë e grupit parlamentar të LDK-së.
Kurse deputeti i kësaj partie Driton Selmanaj, tha se përgjimet e “Pronto 3”, sikur i quajti ai, janë prishje e imazhit të vendit dhe se Aleksandër Lumezi është prokuror i pushtetit.
Hoti së bashku me deputetët Hykmete Bajrami dhe Driton Selmanaj, kanë prezantuar para gazetarëve nismat legjislative të cilat i ka ndërmarrë Grupi Parlamentar i LDK-së për të ndryshuar Ligjin për të Ardhurat e Korporatave dhe Ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, ndryshime këto të cilat burojnë nga Pako Fiskale 2.0. e të cilat janë të domosdoshme për sektorin privat dhe punësimet në këtë sektor.