Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrat Besnik Tahiri dhe Driton Selmanaj, ka pranuar sot Raportin për Kosovën 2020, nga shefi i zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësues i Posaçëm të BE-së në Prishtinë, Tomáš Szunyog, me anë të së cilit Komisioni Evropian e mat progresin e një vendi në përmbushjen e agjendës evropiane brenda vitit kalendarik.
Pas takimit, kryeministri Hoti së bashku me ambasadorin Szunyog kanë mbajtur një konferencë të përbashkët me gazetarë.
“E kam për kënaqësi të them që, pavarësisht vështirësive nëpër të cilat kemi kaluar të ndryshimeve institucionale që kanë ndodhur në vend, të ndërrimit të qeverive, është bërë progres. Arritja më e madhe e Kosovës sigurisht në këtë proces mbetet Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, e Prillit të vitit 2016-të, pra, që ka hyrë në fuqi në Prill të vitit 2016. Raporti me të drejtë e nxjerrë në pah që, Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave qysh nga Korriku i vitit 2018-të, dhe atë që po bëjmë tash si qeveri po kujdesemi që këto kushte të mbeten të plotësuara”, ka thënë Hoti.
“Më vjen mirë që edhe Raporti e ka evidentuar dhe unë bisedova gjerësisht me Ambasadorin që qasja jonë si Qeveri e re, besoj është vënë re tani nga të gjithë partnerët tanë, një qasje e fuqishme e vendosur për reforma për integrim evropian për të çuar përpara këtë agjendë”, u shpreh Hoti para gazetarëve.
Ndër të tjerash, shefi i Qeverisë, beson se Kosova “në këta katër muaj të qeverisjes evidencë të fuqishme se jemi partnerë kredibil për integrim evropian dhe në regjion. Kemi treguar edhe guxim të marrim vendime jopopuliste në interes të vendit dhe aftësi për të vendosur rregull dhe për të shtyrë përpara këto reforma”.
“Vlerësoj që Raporti me të drejtë e nxjerrë që marrë në terma relativ, krahasuar edhe me vendet e tjera, Kosova e ka menaxhuar mirë pandeminë dhe rezultatet e saj jemi duke i parë tash. Është evident fakti që Kosova po largohet nga lista e vendeve me rrezikshmëri të lartë. Është bërë progres në Reformën e Administratës Publike por, ka ende shumë punë për të bërë me disa ligje që janë kthyer prapa nga Gjykata Kushtetuese, që janë përgatitur në qeverinë e kaluar dhe tash ne duhet t’i adresojmë ato sa më shpejtë që është e mundshme”, tha ndër të tjerash Hoti.