Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka reaguar pasi sot u anulua seanca e Kuvendit të Kosovës në mungesë të kuorumit.
Ai ka theksuar se kjo sjellje e mazhorancës është joserioze. “Ka pika në rendin e ditës që presin për muaj me radhë, përfshirë zgjedhjen e udhëheqësve dhe bordeve të institucioneve të pavarura”, ka shkruar Hoti, në Facebook.
“Shumë institucione të pavarura dhe agjenci qeveritare kanë mbetur pa drejtues për shkak të insistimit të Kryeministrit për të futur duart gjithkund në shërbimin publik”.
“Aty ku nuk po ka mundësi, po tenton t’i ndërroj ligjet, siç e provoi me Ligjin për Këshillin Prokurorial dhe Ligjin për Këshillin e Pavarur të Shërbimit Civil. Në të dy rastet, Gjykata Kushtetuese konstatoi se ka pasur shkelje kushtetuese”, ka theksuar deputeti i LDK-së.
“Njëjtë do të ndodhë edhe me disa ligje të tjera që janë në Gjykatën Kushtetuese, përfshirë Ligjin për zyrtarët publik dhe Ligjin për kufizimin e çmimeve”.