Ministri i Financave Avdullah Hoti, i shoqëruar edhe nga zëvendësministri Agim Krasniqi, pritën sot në takim, drejtoreshën për Ballkanin Perëndimorë në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Europian, Genoveva Ruiz Calavera, ku u diskutua për hapat drejt integrimit ekonomik dhe politik të Kosovës në BE.
Calavera shoqërohej nga shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe përfaqësuese e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova, si dhe përfaqësues të tjerë nga Komisioni Evropian,
Ministri i Financave, Avdullah Hoti, duke falënderuar përfaqësuesit e BE-së për përkrahjen u shpreh se institucioni që ai përfaqëson në bashkëpunim me koordinatorët e ministrive përkatëse, Zyrën për planifikim strategjik, si dhe Njësinë e makroekonomisë po bëjnë përpjekje të vazhdueshme në plotësimin e kritereve të Programit të Reformës Ekonomike të Kosovës (ERP) si dhe në hartimin e reformave të reja ekonomike të cilat do të kenë ndikim në zhvillimin ekonomik të vendit, gjithmonë duke u bazuar në një kornize të shëndetshme makro-fiskale.
“Këto reforma ekonomike janë thelbësore për zbatimin e MSA-së”, ka theksuar Hoti.
Ndërsa përfaqësuesit e lartë nga Bashkimi Evropian e vlerësuan performancën pozitive ekonomike, dhe ndryshimet legjislative dhe përafrimit të tyre me BE-në, dhe nënvizuan rëndësinë e vazhdimit të reformave dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë makro-financiare.
Ata shprehën gjithashtu gatishmërinë për ta ndihmuar Kosovën në fushat të cilat ndikojnë në zhvillimin ekonomik të saj.