Vetëm një ditë pasi Lidhja Demokratike e Kosovës caktoi datën e zgjedhjes së kryetarit të ri, kryeministri në detyrë njëherësh nënkryetar i LDK-së, Avdullah Hoti, ka “ndezur” garën për të parin e partisë. Me një fotografi ku shihet bashkë me nënkryetarin tjetër të LDK-së, Kujtim Shala, Hoti ka bërë të qartë “rreshtimin” e tij se kush duhet t’i prijë partisë.
“Mirëmbrëma të gjithë anëtarëve të LIDHJES”, ka shkruar shkurt ai, duke bërë që për pak minuta të marrë shumë reagime të përkrahësve të Shalës brenda LDK-së.
Emri i Shalës ka qenë ndër më të përmendurit për pasues të Isa Mustafës, që ditë më parë u shpreh se ka dhënë dorëheqje nga posti i të parit në LDK, pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 14 shkurtit. Në këto zgjedhje LDK-ja doli e treta, me rezultatin më të dobët në histori të partisë, me vetëm 13 për qind, kur janë numëruar vetëm votat e rregullta.
Pos Shalës, edhe Lutfi Haziri e Lumir Abdixhiku janë përmendur si kandidatura potenciale për të parin e LDK-së. Anton Quni tashmë ka shprehur publikisht pretendimin e tij për të udhëhequr këtë parti.
Kuvendi Zgjedhor për kryetarin e ri të LDK-së do të mbahet më 14 mars. Sipas statutit të kësaj partie, asnjë kandidaturë për kryetar nuk është e zyrtarizuar pa marrë 50 për qind plus një votë të delegatëve të pranishëm në Kuvend. Pikërisht kjo ka qenë pika që po kërkohet të ndryshohet nga shumë zyrtarë të LDK-së.