Ish-zëvëndëskyreminisri, Avdullah Hoti, ka bërë thirrje që të fillojë lehtësimi i masave shtrënguese për bizneset dhe njerëzit, pasi sipas tij, një gjë e tillë do të parandalonte largimin e shumë biznesve nga tregu.
Hoti ka thënë se lehtësimi i masave duhet të bëhet, por gjithmonë duke respektuar udhëzimet shëndetësore për parandalimin e përhapjes së pandemisë së shkaktuar nga COVID-19.
Zyrtari i LDK’së ka thënë se është e rëndësishme që të mbahet i pa shkëputur zinxhiri prodhues/shërbyes pasi kostot ekonomike dhe sociale të shkaktuara nga pandemia do të jenë më të vogla, në të kundërtën ai shprehet se do të duhen vite për rimëkëmbje.
“Nëse arrijmë të mbajmë bizneset në treg dhe të mbajmë të pashkëputur zinxhirin ofertues prodhues/shërbyes, atëherë kostot ekonomike dhe sociale të pandemisë do të jenë më të ulëta, si për familjet ashtu edhe për shtetin. Në të kundërtën, nëse humbet kjo mundësi dhe bizneset dalin nga tregu, atëherë prodhimi dhe punësimi do të stabilizohen në nivele më të ulëta dhe do na duhen vite për tu kthyer në nivelin e para pandemisë”, ka shkruar Hoti.
Reagimi i plotë :
Pandemia nga covid-19 mund të shkaktojë shok ekonomik, por duhet parë edhe si mundësi për ndryshime të mëdha cilësore në strukturën ekonomike të Kosovës me potencial për rritje afatgjate cilësore.
Kjo pandemi padyshim se do të shkaktojë një shok ekonomik, duke ndikuar negativisht në prodhim, punësim dhe eksporte, dhe kjo vetëm si një valë e parë. Ndikimin e plotë do ta ndiejmë në pjesën e dytë të vitit, kur të shfaqen efektet multiplikuese përmes rënies së investimeve dhe remitencave nga të cilat jemi shumë të varur.
Ndikimi ekonomik i kësaj pandemie mund të jetë i paprecedent, sepse në të njëjtën kohë kemi kolapsim të ofertës agregate dhe reduktim signifikant të kërkesës agregate. Oferta agregate ka kolapsuar pasi firmat janë mbyllur me vendime administrative apo si rezultat i shkëputjes së zinxhirit ofertues të inputeve prodhuese e mallrave të gatshme dhe kufizimit të lëvizjes të njerëzve/punëtorëve. Ndërkaq, sa i përket kërkesës agregate, statistikat tregojnë se punësimi ka rënë për rreth 1/3, rrjedhimisht të ardhurat dhe kërkesa agregate kanë rënë.
Është tepër me rëndësi që sa më parë të fillojë zbutja e masave për qarkullim të lirë të bizneseve dhe njerëzve, por duke respektuar udhëzimet shëndetësore që të parandalohet përhapja e virusit.
Lehtësimi në qarkullim të bizneseve, zinxhirit ofertues prodhues/shërbyes dhe të njerëzve, së bashku me mbështetjen e menjëhershme financiare të bizneseve për të përballuar kostot minimale të operimit (ose kostot e mbijetesës gjatë kësaj periudhe) do të parandalonte daljen e plotë të bizneseve nga tregu.
Nëse arrijmë të mbajmë bizneset në treg dhe të mbajmë të pashkëputur zinxhirin ofertues prodhues/shërbyes, atëherë kostot ekonomike dhe sociale të pandemisë do të jenë më të ulëta, si për familjet ashtu edhe për shtetin. Në të kundërtën, nëse humbet kjo mundësi dhe bizneset dalin nga tregu, atëherë prodhimi dhe punësimi do të stabilizohen në nivele më të ulëta dhe do na duhen vite për tu kthyer në nivelin e para pandemisë.
Parë nga një perspektivë tjetër, masat ekonomike për të përballuar pasojat e pandemisë, nëse dizajnohen si duhet dhe mobilizojnë financim të qëndrueshme që kanalizohet në ekonomi aty ku ka nevojë dhe ku efekti është maksimal, atëherë mund të krijohet një momentum të ri për zhvillim të hovshëm ekonomik në Kosovës. Në një rast të tillë, do të nxiteshin ndryshime të mëdha në strukturën ekonomike dhe sektoriale, duke e vendosur ekonominë e Kosovës në një trajektore më të lartë të rritjes dhe zhvillimit afatgjatë, me punësim më të lartë dhe më cilësor.