Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka organizuar diskutimin “Cila është platforma e Qeverisë së Kosovës në dialogun me Serbinë?”, me kryeministrin Avdullah Hoti dhe përfaqësues të shoqërisë civile, raporton Ekonomia Online.
Me këtë rast Hoti tha se ai do ta udhëheq këtë proces dhe se konspiracionet për harta e për shkëmbim të territoreve nuk ekzistojnë.
“Unë besoj që është procesi më jetik dhe tash mbyllja dhe konsolidomini i shtetësisë së Kosovës. Në fokus tonin si Qeveri kemi dialogun”.
“Unë nuk kam marrë pjesë më herët në këtë proces nuk i di prapaskenat e këtij procesi, në marrjen e detyrës i kam pyetur se ku kemi arritur, më kanë thënë askund do të negocioni si shtete të pavarura”.
“Të gjitha kospiracionet e mundshme për harta për shkëmbim territoresh për mua nuk janë të vërteta”.
Hoti edhe para shoqërisë civile prezantoi objektivat dhe platformën se si do ta udhëheqë dialogun.
Ai paralajmëroi se nesër për orën 11:00 ka ftuar forumin e liderëve politik për konsultime.
“Parimet, integriteti territorial është i panegociushëm, karakteri unitar i shtetësisë, marrëveshja në përputhje me Kushtetutën. Objektivat, njohja reciproke, njohja nga pesë vendet e BE-së, anëtarsimi në OKB, shfuqizimi i rezolutës 12/44″.
“Unë nuk do të përkrahi dialog jashtë-institucional. Nesër në orën 11:00 e kam ftuar forumin e liderëve politikë”.
Hoti tha se qëndrimet që po i paraqet para shoqërisë civile, do t’i paraqes dhe në dialog.
“Qëndrimin që e prezantova para jush do ta prezantoj edhe në Uashington, nuk ka agjendë”.
Hoti tha se marrëveshja me Serbinë nuk është marrëveshje që përmbyllet me një takim.
Hoti, ka thënë që për çështjen e asociacionit të komunave serbe ka pasur keqinformim.
“Marrëveshja për asociacion, nuk është shpallur jokushtetuese. Gjykata ka dhënë vërejtje në nenet e caktuara, që Qeveria duhet t’i ketë parasysh”.
“Në parimin ‘karakteri unitar i shtetit të Kosovës’, i referohet edhe kësaj çështje. Asociacioni do të themelohet në përputhje me kushtetutën, për këtë do të jemi maksimalisht të kujdesshëm”.
Hoti ka thënë se nuk dihet akoma se cila është agjenda e takimit të ftuar nga ShBA-jaë javën e ardhshme.
Megjithatë, ai ka insistuar se ajo që dihet qartë është pozicioni i Qeverisë së Kosovës.
Drejtori Ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) Ismet Kryeziu, në hapje të këtij debati tha se është i nevojshëm koncensuesi i brendshëm politik për të vazhduar këtë proces.
“Dialogu e ka ndikuar zhvillimet politike ndryshimet e institucioneve. Tani jemi në situatë që ka të bëjë me konsolidimin e shtetit me të cilin është i domosdoshëm një konsensus politik, ende ka indikacione që nuk ka një konsensus”.
“Vizita e Lajçak dhe ftesa e kësaj jave me 27 qershor na vendosin në një situatë që qytetarët shumë pak dinë. Nuk e dimë kjo ftes çka përmban, a është vazhdimi i disa marrëveshje apo është një proces paralel me BE-në”.
Ambasadori i Zvicrës në Kosovë Jean Hubert-Lebet, tha dialogu duhet të udhëhiqet nga BE-ja.
Sipas tij, e çfarëdo ndihme është e mirëseardhur, por që për problemet në Evropë duhet një zgjidhje evropiane.
“Si lider është mirë të mos humbet orientimi, qëllimi i këtij dialogu është normalizimi i marrëdhënieve paqja në rajon e deri në njohje. Normalizimi i marrëdhënieve është çështje evropiane”, raporton EO.
“Zoti Lajçak erdhi dje mirëpo më e rëndësishmja është vullneti i sinqertë nga dy palët për të normalizuar marrëdhëniet. Ne besojmë që Kosova dhe Serbia të jenë të gatshme të vazhdojnë dialogun, ju inkurajoj zoti Hoti të bashkëpunoni me Lajçak”.
“Kemi parë të tjerë të angazhuar në ketë çështje por Ata mund të kontribuojnë por të gjithë duhet të kuptojnë që për probleme evropiane duhet zgjidhje evropiane, ndryshimi i kufijve nuk qon në këtë drejtim. Nënshkrimi i një marrëveshje në fund të fundit nuk është krejt e rëndësishme, por në zbatim të atyre marrëveshjeve”, tha ai.