Hoti: S’shkojmë në Bruksel për t’i bërë favore Serbisë, marrëveshja do përfundojë me njohje reciproke

Prishtinë | 05 Dhj 2020 | 07:42 | Nga Ekonomia Online

Javën e ardhshme më 10 dhjetor pritet të rifillojnë takimet ndërmjet shefave të delegacioneve të Kosovës dhe të Serbisë për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Këtë e konfirmoi të premten zëdhënësi Peter Stano.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, deklaroi se delegacioni i Prishtinës nuk shkon në Bruksel për t’i bërë favore Serbisë.

“Ne dialogun në Bruksel e filluam në korrik me një qartësi besoj të plotë , në Samitin e Parisit, të organizuar nga Presidenti i Francës dhe kancelaria gjermane. Dhe aty në atë Samit me insistimin tonë ne vendosëm dy çështje në tavolinë dhe kërkuam dakordim. Dhe ka dakordësi për ata që është e para që marrëveshja duhet të përfundojë me njohje reciproke dhe normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe dialogu duhet të jetë i kufizuar në kohë. Dhe kjo kohë është çështje muajsh. Procesi i dialogut dhe ndryshimet që ndodhën në zonat e specializuara, janë çështje të ndara sepse ne nuk shkojmë në Bruksel për ti bërë favore Serbisë. Ne shkojmë në Bruksel për të mbrojtur interesin e shtetit të Kosovës dhe ky interes është që kjo marrëveshje të mbyllet sa më para me njohje reciproke”.

Ndërkohë Hoti e komentoi dhe marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë në prani të Presidentit të SHBA, Donald Trump.

“Firmosëm një listë me zotime karshi SHBA dhe me mbështetjen e tyre politike e financiare për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike me Serbinë. Këtë kemi nënshkruar”.

“Kërkesa dhe dëshira jonë mbetet që të nënshkruajmë sa më parë një marrëveshje për normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe për njohje reciproke. Në këtë mënyrë të lëvizim së bashku drejt integrimit në BE. Ajo që na u ofrua në Washington është që të vijojmë me një listë zotimesh për të dy vendet. Bëmë zotimet në dokumente të ndara në prezencë të presidentit të SHBA-ve për faktin që do të punojmë së bashku. Më mbështetje politike, në veçanti me mbështetje financiare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“Ndërkohë që po flasim po zhvillohen biseda me DFC, me disa prej ministrive tona për disa projekte që janë pjesë e marrëveshjes, si autostrada, hekurudha, gazsjellësi, disa projekte biznesesh, etj. Është një marrëveshje që ndërron rrethanat ekonomike në religjion. Ndërkohë po vazhdon dialogu dhe në Bruksel për disa prej çështjeve”, ka thënë Hoti në një intervistë në Oranews.al.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme