Hoti: S’ua lëmë Kosovën atyre që kanë probleme me personalitet

Gjilan | 30 Maj 2017 | 16:36 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë të martën në Gjilan se nuk mund ta lënë Kosovën në duart e atyre që kanë probleme me personalitet.

“Ne do të merremi me temat më të mëdha që i ka shteti dhe shoqëria. Nuk mund ta lëmë Kosovën peng të disave që kanë probleme me personalitetin e tyre. Do t’i zgjidhim problemet e papunësisë, do t’i liberalizojmë vizat, do ta luftojmë krimin dhe korrupsionin dhe do ta integrojmë vendin në familjen evropiane”, ka thënë

Hoti i bëri komentet në një bashkëbisedim me rininë gjilanase.

“Jam shumë i nderuar që gjendem në këtë mes me të rinj e të reja. Është tryeza e gjashtë që e mbajmë me rini gjithandej Kosovës dhe kudo që shkojmë po hasim në një entuziazëm që të bëjmë të sigurt fitoren e 11 qershorit. Jemi bërë bashkë themeluesit e LDK-së dhe Brezi i Republikës”, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se jemi të vendosur që më 11 qershor të ndërrojmë gjendjen në Kosovë, jo pse ngarendim për të marrë poste sikur të tjerët që ngarendin me dekada, por për t’u siguruar se ne i adresojmë problemet e qytetarit maksimalisht brenda kufizimeve që i kemi.

“Si asnjëherë më parë në kemi zhvendosur krejt kursin publik tek problemet reale me të cilat ballafaqohen qytetarët. Jemi munduar që qytetarëve t’u tregojmë se si do t’i zgjidhim problemet, si do të ofrojmë arsim cilësor, që pas kryerjes së studimeve të futeni në tregun e punës, si do t’i përmirësojmë shërbimet shëndetësore, si do t’i rritim pensionet, si do të sigurohemi që buxheti do të shpenzohet si duhet”, ka thënë Hoti.

Sipas tij, këto janë premtime të bazuara. “Nëse dikush do ta bëjë ndryshimin në këto zgjedhje, jeni ju rinia dhe në veçanti gratë që janë bazamenti i shoqërisë. Ju ftoj që më 11 qershor të dilni dhe të votoni, ndërsa deri atëherë të bisedoni me çdo të ri e të re, t’u tregoni atyre kush jemi ne, çfarë përfaqësojmë ne”, ka thënë kandidati i LDK-së për kryeministër.

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se sot dhe nesër keni me u bind që LDK-ja ka njerëzit më të mirë afër vetës.

“Ne kemi bërë veprime të cilat nuk duhet harruar asnjëherë. Veprimi i fundit kur ne nënshkruam koalicionin me partnerët qeverisës dhe brenda 3 orëve ne larguam kandidatin e PDK-së prej nominimit”, ka thënë Haziri.

Ai ka shtuar se ish-kryetarin e PDK-së para dy viteve, njësoj me kryetarin aktual, e kanë detyruar të heqë dorë nga posti i kryeministrit.

“Vendi ynë ka nevojë për zhvillim, jo për trimëri dhe certifikata të veteranëve të luftës, as për medalje. Ne kemi nevojë për sundim të ligjit rend dhe rregull. Ne jemi të durueshëm deri në atë masë sa themi se është bërë boll më”, ka thënë Haziri.

 

Të ngjashme