Hoti: Sulmet e 11 shtatorit në SHBA, tentuan të godasin zemrën e lirisë dhe demokracisë në botës

Prishtinë | 11 Sht 2020 | 11:58 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, ka përkujtuar 19 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit në SHBA.

Hoti përmes një postimi në Facebook, ka thënë që kujtimi e nderimi për viktimat dhe familjet e tyre është nderim dhe vlerësim për lirinë, demokracinë dhe Zotin.

Postimi i plotë i Hotit:

19 vjet më parë, më 11 shtator 2001, ndodhi sulmi terrorist ndaj kullave binjake në New York, ku humbën jetën rreth 3 mijë persona.

Kujtimi e nderimi për viktimat dhe familjet e tyre është nderim dhe vlerësim për lirinë, demokracinë dhe Zotin! Kullat binjake ishin edhe shtëpitë tona, gjersa Amerika është edhe vendi ynë, andaj viktimat dhe familjet e tyre janë edhe njerëzit tanë.

Ky sulm terrorist tentoi që të godiste zemrën e lirisë dhe të demokracisë së botës, pra tentoi të na godiste edhe ne, mirëpo jo vetëm që nuk ia arriti ta bënte një gjë të tillë, por e bëri krejt të kundërtën, pasi që i fuqizoi të gjitha zemrat e lirisë dhe të demokracisë në një të vetme, për të na bërë një herë e mirë të pathyeshëm përballë kësaj të keqeje globale.

Kosova si vend i vogël, mirëpo me miq të mëdhenj, përherë bashkënden për këtë ngjarje dhe me aq sa mundet e përtej saj, pa kursyer asgjë, mbetet aleate e fuqishme e miqve të saj perëndimorë në luftën e përhershme kundër terrorizmit.

Zoti e bekoftë Amerikën dhe aleatët e saj!

Zoti i bekoftë viktimat dhe familjet e tyre!

https://www.facebook.com/avdullah.hoti/posts/3632924736768854
Fjalë Kryesore:

Të ngjashme