Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, është pritur në takim nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin.
Ai me këtë rast e ka falënderuar Eminencën e Tij, Kardinalin Parolin, që Selia e Shenjtë ka mbështetur popullin e Kosovës, duke kontribuar kështu për paqen e qëndrueshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Kryeministri Hoti, e ka njoftuar Kardinalin Parolin me rrjedhën e procesit të dialogut me Serbinë dhe me të drejtat të cilat i gëzojnë serbët e Kosovës në të gjitha nivelet.
Kryeministri Hoti, me Kardinalin Parolin, ka biseduar edhe për liberalizimin e vizave dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve, mallrave, shërbimeve dhe të kapitalit, duke nënvizuar përkushtimin institucional për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Ndër temat boshte të takimit ka qenë edhe mosnjohja e Republikës së Kosovës nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Kryeministri Hoti, ka kërkuar që BE-ja ta trajtojë Kosovën si të barabartë në mesin e të barabartëve, gjë që do përbënte një kthesë pozitive në dobi të stabilitetit të qëndrueshëm, sigurisë dhe zhvillimit ekonomik afatgjatë të rajonit.
Kryeministri Hoti, me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Parolin, ka biseduar edhe për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit dhe të komunikimit përmes marrëveshjeve të mirëkuptimit, që do të rezultonte me njohje të vlefshme të sistemit të vlerave të përbashkëta të të dyja vendeve.