Gjatë diskutimit për dialogun me Serbinë në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, Andin Hoti, nga PDK-ja, tha se është e dhimbshme të bëhet marrëveshje me armikun.
“Nuk di njeri tjetër që kemi provuar në dialogje dhe ka treguar rezultat. Presidenti ka thënë se dialogu do të jetë i dhimbshëm, është e dhimbshme të bëhet marrëveshje me armikun tënd, sepse na mungojnë 1650 persona, e dhimbshme sepse na kanë vrarë dhe masakruar. Një pjesë e madhe është lënë anash, më e dhimbshme se kaq nuk mund të jetë, nuk do ta lejojmë të bëhet asnjëherë, nuk do të ketë dhimbje tjetër”.
Hoti kërkoi nga presidenti dhe kryeministri që në bisedimet me Serbinë të futet si pikë diskutimi zbardhja e fatit të personave të zhdukur, raporton Ekonomia Online.
“Në këtë kuvend kemi miratuar një rezolutë që është përkrah nga të gjithë ju. Pika e parë e asaj rezolute: Të bëhet zbardhja e fatit të personave të zhdukur me forcë, të vendoset si parakusht në dialogun Kosovë-Serbi dhe të bëhet pjesë e platformës. Në ato platforma të mëhershme që u tërheq nuk e kemi pa atë pikë aty. Kërkoj nga presidenti, kryeministri që ajo pikë të futet në bisedimet me Serbinë. Unë dua ta di ku e kam babin, familjet ku i kanë të dashurit e tyre, nuk lejojmë që kjo të kalojë në heshtje, pa këtë nuk do të ketë rëndësi që Lista Serbe ka thanë që të bëjmë konsensus me Serbinë, nuk iu lejua të bisedojë”.
Xhavit Haliti kërkoi të vazhdohet me rend dite, raporton EO.
“Nuk ka punë Lista Serbe me këtë, këta janë veç deputetë të Listës Serbe, të vazhdojmë me rend dite”.