Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka folur për takimin që pati me Sekretarin e Shtetit Michael Pompeo.
Pompeo e ka uruar Hotin për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e raporteve ekonomike mes Kosovës e Serbisë
”Gjatë vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jam pritur në takim nga Sekretari i Shtetit, Michael Pompeo, i cili më uroi për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e raporteve ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, marrëveshje kjo që u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë në prani të presidentit të SHBA-ve, Donald Trump”.
”Në emër të qeverisë dhe popullit të Kosovës, falënderova SHBA-në për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë dhe po i jep Kosovës, ndërsa duke vlerësuar rëndësinë që ka marrëveshja e arritur në Shtëpinë e Bardhë, theksova gatishmërinë e Kosovës për vazhdimin e dialogut me Serbinë, që çon në njohje reciproke ndërmjet të dyja vendeve”.
Hoti pohon se Pompeo i ka ofruar mbështetje Kosovës në procesin e dialogut mes Kosovës e Serbisë.
”Po ashtu, mora mbështetje sekretari Pompeo, i cili theksoi gatishmërinë e SHBA-ve për të mbështetur Kosovën në procesin e dialogut dhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, shkruan Hoti në facebook.