Ministri i Financave, Avdullah Hoti, sot ka vizituar drejtorinë e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, si dhe fabrikën për përpunimit e ujit në Shkabaj, të cilën e ka cilësuar si një ndër investimet më të rëndësishme që kanë ndodhur për gjenerata të tëra.
Ministri Hoti, i cili u prit nga kryeshefi i KUR “Prishtina”, Ilir Abdullahu. tha se kjo vizitë po bëhet në kuadër të sensibilizimit për shfrytëzimin e mundësisë së Ligjit për Faljen e Borxheve Publike, raporton Ekonomia Online.
“Ne jemi këtu si formë për sensibilizimin për shfrytëzimin e mundësisë së ligjit për faljen e borxheve, sepse ka nevojë për vetëdijesim për procedurat se si mund të përfitohet nga ky ligj”, ka thënë Hoti.
Më pas, ata vizituan dhe fabrikën e përpunimit të ujit në Shkabaj. “Është kënaqësi të shohim ku janë investuar 5 milionë eurot taksa të qytetarëve të Kosovës, bashkë me donacione nga Komisioni Evropian edhe nga Banka Gjermane për Zhvillim (KfW). Ndjehem mirë që kompania sot është e qëndrueshme dhe ka filluar të kthej kredinë që e ka marrë nga Banka Gjermane për Zhvillim për ndërtimin e kësaj fabrike. I përgëzoj për të gjitha aktivitetet që kanë bërë në përmirësimin e furnizimit me ujë”, tha Hoti, para gazetarëve.
“Përgëzoj dhe menaxhmentin për punën që po bëjnë në zbatimin e plotë të Ligjit për Faljen e Borxheve. Unë këtu sot jam bashkë me Komisionin për falje të borxheve për të kërkuar që të intensifikojnë aktivitetet deri në shtator të këtij viti, kur ligji është në fuqi, që të punojnë me qytetarët dhe gjithashtu të sensibilizojmë qytetarët që ta shfrytëzojnë këtë mundësi”, ka thënë Hoti.
Ai ka thënë se është njoftuar në detaje që 60 për qind të borxheve janë të falura ose të programuara për dy-tri vitet e ardhshme.
Gjithashtu Hoti e ka cilësuar si shumë të rëndësishëm edhe fillimin e projektit për ndërtimin e impiantin e trajtimit të ujërave të zeza për komunat Prishtinë, Obiliq dhe Fushë-Kosovë.
“Ky është projekti më madhor që ka ndodhur në kryeqytet për gjenerata të tëra bashkë me projektin që dje edhe veç filloi, konkretisht me mbledhjen e komitetit drejtues për impiantin e trajtimit të ujërave të zeza. Besoj që kompletohet i gjithë cikli i furnizimit me ujë edhe i trajtimit të ujërave të zeza”, ka thënë Hoti.
Kryeshefi i Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Ilir Abdullahu, ka thënë se fabrika e përpunimit të ujit në Shkabaj e ka bërë të mundur furnizimin me ujë 24 orë.
“Nga kjo fabrikë ne kemi arritur që të kemi një furnizim me ujë për 24 orë, për çka i falënderoj donatorët, Qeverinë e Kosovës, Komunën e Prishtinës, që të gjitha bashkërisht kanë bërë që të kemi furnizimin me ujë për 24 orë. Por, falënderimi kryesor shkon për konsumatorët”, ka thënë ai.