Transferimi i Chris Paul te skuadra e Houstonit ka rritur së tepërmi entuziazmin te teksanët, që ëndërrojnë të fitojnë titullin kampion sezonin e ardhshëm 2017-2018 në NBA.
Ish-lojtari i Clippers do të jetë një armë më shumë dhe një ndihmë e madhe për James Harden në këtë betejë, çka konfirmohet edhe nga trajneri Mike D’Antoni.
“Janë dy kampionë, që njihen dhe e respektojnë njëri-tjetrin dhe për mua do të jetë e lehtë. Tashmë nis puna për ta bërë sa më të lehtë këtë bashkëjetesë, që të kemi një skuadër garuese”, tha D’Antoni, i zgjedhur si trajneri më i mirë i NBA-së sezonin e kaluar.
Chris Paul është prezantuar sot te skuadra e Rockets dhe beson se sezonin e ri teksasianët do të jenë pretendentë për titull edhe pse Golden State janë ende shumë larg. “Kemi për detyrë të tentojmë deri në fund, ky ekip mund të synojë titullin”.
“Warriors janë kampion në fuqi, por ne luajmë për të fituar. Unë erdha këtu për këtë gjë, për të synuar titullin”, tha Chris Paul. Ndërkohë që, teksasinët janë në pritje edhe të Carmelo Anthony, që mund të lërë New York dhe të zbarkojë në Houston. “Ne e presim, do të jetë një vlerë e shtuar”, tha trajneri D’Antoni, që shpreson të triumfojë si në Konferencën e Perëndimit ashtu dhe në NBA.