Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier ka theksuar se SHBA beson se Kosova duhet të jetë anëtare e BE-së, e NATO-s dhe e Këshillit të Evropës.
Por, ai theksoi se Kosova urgjentisht duhet të lëvizë përpara me Asociacionin, dërgimin e draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim kushtetues.
“Ne e nxisim ndërmarrjen e këtij hapi, e inkurajojmë Kosovën të bëjë çka duhet të bëjë për ta marrë atë votë pozitive. Ne duam të jemi avokues të fortë dhe efektivë për Kosovën, por kjo do të thotë se Qeveria duhet të bëjë gjëra që na ndihmojnë ta bëjmë këtë”, ka deklaruar Hovenier në rtk.
Tutje ambasadori amerikan ka theksuar se Kosova ka shumë miq të cilët duan ta shohin Kosovën në organizata si Këshilli i Evropës, por duan ta shohin vendin duke ndërmarrë veprime shtesë në mënyrë që të jenë të bindur për përkushtimin e vendit ndaj të drejtave të pakicave dhe të drejtave të njeriut.
Hovenier, po ashtu, ka theksuar se qëllimi i SHBA-së është që rezultati i këtij procesi, kur të ketë mbaruar, të jetë njohja reciproke.