Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se ShBA mbetet e përkushtuar ta ndihmojë popullin e Kosovës, pavarësisht veprimeve “sfiduese” të qeverisë së saj, të cilat ka thënë se po e ndikojnë partneritetin e vendit me ShBA-në, raporton Ekonomia Online.
Ai ka kërkuar që Qeveria t’i rikthehet dialogut konstruktiv me ShBA-në dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.
Këto deklarata, ambasadori i ka bërë pas nënshkrimit të marrëveshjes së grantit në vlerë prej 34.5 milion dollarësh ndërmjet Kosovës dhe USAID, me ç’rast ai ka theksuar se “përkushtimi i ShBA-së ndaj popullit të Kosovës mbetet po aq i fortë e i hekurt si gjithmonë”.
“Shumë prej jush keni parë raportin në media për dallimet e tashmë ndërmjet ShBA-ve dhe anëtarëve të tjerë të bashkësisë ndërkombëtare me Qeverinë e Kosovës për disa veprime që janë të udhëhequra me qeverinë e kryeministrit Kurti”.
“Po përballemi me disa sfida me qeverinë e tanishme të Kosovës të cilat kanë ndikuar në cilësinë e partneritetit tonë. Ashtu siç Zëvendësi i Departamentit të shtetit ka thënë më herët, Qeveria Amerikane shpreson se Qeveria e Kosovës do t’i kthehet angazhimit të ngushtë dhe konstruktiv me ShBA-në, BE-në, NATO-n dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë të Kosovës”.
“Edhe pse disa fusha të bashkëpunimit me qeverinë e tanishme të Kosovës mbesin më pak pozitive se që do të kishim shpresuar, përkushtimi i ShBA-së ndaj popullit të Kosovës mbetet po aq i fortë e i hekurt si gjithmonë”, ka thënë ai.
Hovenier më tej tha se ngjarja e sotme dhe përmbyllja e një marrëveshjeje për të ofruar afro 35 milionë dollarë për popullin e Kosovës e thekson përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj popullit të Kosovës, por jo domosdo edhe për ndonjë qeveri të caktuar.
“Megjithatë, e di, që ky manifestim ndaj popullit të Kosovës nuk vlen domosdo për ndonjë qeveri të caktuar, apo veprimet politike të asaj qeverie”, tha Hovenier.
Ndërsa, teksa ka folur për marrëveshjen, ambasadori ka thënë se qëllimi i saj është mbështetja e ekonomisë dhe qeverisjes së mirë në Kosovë, në mënyrë që Kosova të integrohet më mirë në tregun evropian dhe institucionet euroatlantike.
“Janë bërë 25 vjet që ShBA-ja e mbështet popullin e Kosovës. Përgjatë kësaj periudhe, i kemi dhënë më shumë se një miliardë dollarë në mbështetje të popullit të Kosovës. Kjo mbështetje ka ndihmuar qeverisjen lokale të Kosovës, bizneset kosovare dhe konkurrencën e tyre, ka forcuar mediat e pavarura dhe ka përmirësuar sigurinë energjike”.
“Këto fonde të reja, ngjashëm do të fokusohen në programe që do ta përforcojnë më shumë ekonominë e Kosovës dhe që mbështesin qeverisjen e mirë dhe shërbimet qeveritarë më efektive. Ne mendojmë se kështu do ti ndihmojmë Kosovës që të integrohet më mirë në tregjet evropiane dhe anëtarësimin e saj në BE dhe përafrimin me institucionet euroatlantike”.