Hovenier takon opozitarët e Listës Serbe, tregon çka folën

Prishtinë | 22 Gus 2023 | 16:18 | Nga Ekonomia Online

Ambasadori i ShBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka njoftuar të martën se ka takuar disa politikanë serbë të Kosovës, të cilët janë opozitarë të Listës Serbe.

Me të njëjtit, ai tha se ka folur për çështje të komunitetit të tyre, teksa u shpreh se ShBA-të mbështesin një Kosovë multietnike.

Pjesë e takimit që vjen para mbajtjes së zgjedhjeve në komunat veriore – ashtu siç pati dakordim mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian në Bratislavë – ishin Aleksandar Jabllanoviq nga Partia e Serbëve të Kosovës, ish-kryetari i Graçanicës, Branimir Stojanoviq dhe Aleksandar Arsenijeviq nga Iniciativa Qytetare.

“Pata rastin të presë sot disa përfaqësues politikë serbë të Kosovës për të diskutuar çështje të rëndësishme për komunitetin e tyre. Mendimet e ndryshme dhe pluralizmi janë pjesë përbërëse e çdo demokracie të fortë dhe të shëndetshme”, shkroi Hovenier në Twitter.

“Përsërita mbështetjen tonë të kahershme për një Kosovë sovrane, multietnike dhe demokratike”, shtoi diplomati amerikan.

Të ngjashme