Hovenier thotë se kërkesat e ShBA-së s’janë presion: Asociacioni të formohet, prekja e kufijve sjell destabilizim

Prishtinë | 16 Gus 2023 | 13:35 | Nga Hanmie Lohaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, në një takim me një grup gazetarësh të medieve të Kosovës, ka komentuar letrën e nënshkruar nga më shumë se 50 ligjbërës amerikanë, evropianë e britanikë, e ne të cilën kërkohet qasje më e ashpër ndaj Serbisë.

Ambasadori shtoi se po kërkojnë zgjidhje të qëndrueshme e afatgjate e nuk po kërkojnë zgjidhje ku njëra palë fiton dhe pala tjetër humb.

Hovenier tha se kërkesat e ShBA-së janë legjitime, e jo presion. Ai ka bërë thirrje që Kosova të bëjë progres në dialog me Serbinë, duke kërkuar edhe një herë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, raporton Ekonomia Online.

“Dukshëm që ne e marrim seriozisht çfarëdo qëndrimi të përfaqësuesve të zgjedhur nga populli amerikan. Por në këtë letër nuk është vërtetë për Kosovën. Kjo letër nuk është rreth Kosovës ku unë jam ambasador. Është më shumë për politikën e Serbisë, për të cilën unë nuk jam përgjegjës. Dhe ShBA nuk po kërkon që këtë çështje ta vendos në terma ku fitorja e njërës palë është e barabartë me humbjen e palës tjetër. Fitorja e Kosovës nuk është humbje për Serbinë, dhe një fitore e Serbisë nuk është humbje për Kosovën. Ne besojmë se është e mundur të kemi një raport me Serbinë dhe Kosovën që nuk e ndikon interesin e vendit tjetër në asnjë mënyrë”, tha Jeffery Hovenier.

“Si ambasador amerikan në Kosovë jam shumë komfort me atë që po i kërkojmë Qeverisë së Kosovës të bëjë dhe atë që po i kërkojmë popullit të Kosovës. Nuk duhet të ketë dyshim, dhe shpresoj që është shumë e qartë ShBA-ja ka një përkushtim afatgjatë për popullin e Kosovës. Si ambasadë kemi tri pika strategjike. Një nga to është që të mbështesim Kosovën të marrë vendin e saj në strukturat evropiane dhe euro-atlantike. Ne bëjmë një punë të madhe për të avancuar këtë”. 

“Nuk duhet të ketë pikëpyetje për këtë. Gjithashtu të ndihmojmë ekonominë e Kosovës që të japë të ardhme për qytetarët e saj dhe qeverisje të mirë. Pra këto janë synimet tona. Çfarë po i kërkojmë Kosovën unë nuk e shoh si presion. I shoh që janë një numër kërkesash legjitime nga ShBA dhe partnerët, që avancojnë këto synime strategjike. Kosova s’do të jetë e aftë të bëhet anëtar e BE-së, nuk do të jetë e aftë të arrijë Partneritetin për Paqe për t’u bërë anëtare e NATO-s, dy synime fundamentale të ShBA-së që dëshiron të ndodhin, pa bërë progres në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.

“Kështu që i kërkojmë që të avancojë negociatat dhe konkluzat e negociatave për të themeluar Asociacionin. Dhe kemi qenë të qartë se si e shohim Asociacionin. Që nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, dhe që nuk është një nivel shtesë i Qeverisjes. Ne kemi qenë shumë të qartë. Jam shumë rehat për t’ia bërë këto kërkesa Qeverisë së Kosovës. Mendoj që është politikë e mirë dhe legjitime të shoh këto gjëra teksa avancojnë”.

Hovenier përmendi edhe bisedën e zhvilluar ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe Sekretarit të Shtetit Antony Blinken, duke e cituar këtë të fundit, raporton Ekonomia Online. Hovenier përmendi edhe çështjen e furnizimit me barna dhe nëse edhe këto produkte janë të ndaluara të hyjnë në Kosovë.

“Ne i nxisim palët që të de-eskalojnë tensionet, të shmangin veprimet që kontribuojnë në eskalime dhe që të kthehen menjëherë në dialogun e lehtësuar nga BE. Ne presim nga Kosova dhe Serbia që të implementojnë plotësisht obligimet nga marrëveshja”.

“Ajo që është e ndaluar tani janë mallrat e prodhuara nga Serbia, që në njëfarë mënyrë i ndikojnë furnizimin me barna dhe pajisje medicinale. Kjo është një gjë serioze dhe e kemi marrë shumë seriozisht, kështu që kemi folur me zyrtarët kosovarë dhe homologët e tyre serbë për të na ndihmuar që të kuptojmë situatën dhe më duhet të jem i qartë se siç e kuptojmë ne se barnat dhe furnizimi me medikamente importohen nga Serbia sot sikurse ka qenë para datës kur janë marrë masat”.

“Më duhet ta them se kjo duket sikurse njerëzit tentojnë që potencialisht të keqinterpretojnë situatën, nuk mund ta them se pse”.

Hovenier thotë se ShBA-ja nuk e mbështet “Shqipërinë e Madhe” as “Serbinë e Madhe

Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se vendi i tij nuk e përkrah idenë e ripërcaktimit të kufijve kombëtar në rajonin e Ballkanit dhe sipas tij, çdo përpjekje për ta bërë një gjë të tillë do të ishte kundërproduktive dhe destabilizuese.

Këtë komente ai i bëri kur u pyet për vizitën e kryeministrit Albin Kurti në Maqedoninë e veriut, gjatë një takimi me një grup gazetarësh.

 “Nuk e di sa është e vendit që unë të flas për specifikat e vizitës por e kam parë se në opinionin publik ka pasur shprehje të shqetësimeve për këtë idenë e një ‘Shqipërie të madhe’, duke qenë diçka që është diskutuar në kontekstin e vizitës, kështuqë mendoj se është një mundësi e mirë për mua që të ritheksoj pozicionimin e ShBA-së në këtë pyetje. Është shumë e rëndësishme që të lexoj para juve udhëzimin tim, ShBA-ja nuk e mbështet një ‘Shqipëri të madhe’, ShBA-ja nuk e mbështet një ‘Serbi të madhe’ gjithashtu”.

“ShBA-ja nuk e mbështet rivendosjen e kufijve në regjionin e Ballkanit, çdo tentim për të bërë një gjë të tillë do ishte joproduktiv dhe destabilizues. ShBA-ja e mbështet fuqishëm aspiratat e BE-së dhe integritetin territorial të të gjitha shteteve në Ballkanin Perëndimor dhe e mirëpret afirmimin e BE-së. Besojmë se ky është qëllim që e ndan çdo shtet në rajon”.

Ambasadori amerikan pret që serbët të dali në zgjedhje: Heqja e ndalesës për mallrat serbe mos të kushtëzohet me masat e BE-së

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, pret që serbët që jetojnë në veri të marrin pjesë në zgjedhje që pritet të mbahen në këtë pjesë të vendit, për çka edhe kanë nisur procedurat e shkarkimit të kryetarëve aktual.

Ai gjatë takimit me gazetarë në ambasadë, ku ka marrë pjesë edhe Ekonomia Online, shtoi se Kosova është zotuar se do të përmbushë marrëveshjen për shtensionim të në veri.

“Jemi të shqetësuar sa i përket situatës në veri të Kosovës dhe i kemi kërkuar Qeverisë të marrë masa. I kemi kërkuar edhe Qeverisë së Serbisë të marrë masa për të arritur shtensionim në veri të Kosovës. Ne duam të shmangim trazira, kërcënime të dhunës, dhe gjëra të tjera të cilat pengojnë aftësinë tonë për të punuar me palët për t’u fokusuar në objektivat strategjike, që është zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit, nga të dyja palët”.

“Pyetja se si do të mbahen zgjedhjet në veri është pyetje e brendshme për Kosovën. Se a bëhet kjo bëhet përmes dorëheqjes së kryetarëve të komunave, ose nëse bëhet përmes një procesi ku votuesit votojnë për t’i larguar kryetarët aktualë ne jemi të interesuar vetëm të shohim procesin qe po ecën para”.

Hovenier kërkoi që heqja e ndalesës për mallrat serbe të mos kushtëzohet me heqjen e masave ndaj Kosovës nga BE.

Këto komente ai i bëri kur u pyet për një deklaratë të ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, se Prishtina do të anulonte vendimin për mallrat nëse Bashkimi Evropian do të hiqte masat ndëshkuese.

 “ShBA vazhdon ta inkurajojë Qeverinë e Kosovës që të ndërmarrë veprime që promovojnë lirinë e mallrave, pa iu referuar nëse BE-ja ndërmerr veprime ose jo. Unë do të këshilloja fuqishëm kundër përpjekjeve për të rrjedhur disi veprimet e Qeverisë së Kosovës në këtë zonë në pritjet se çfarë do të bëjë apo nuk do të bëjë BE-ja në lidhje me atë”.

“… ajo që karakterizon janë masat e përkohshme dhe të kthyeshme. BE-ja i ka dhënë Kosovës një deklaratë të rrallë nga 27 vendet anëtare në atë që shpreson të bëjë Kosova në bazë të vendosjes së masave dhe çfarë të supozojë në bazë të heqjes së këtyre masave. Nuk jam këtu për të folur në emër të BE-së, por ajo deklaratë është publike. Nuk duhet të jetë mister se çfarë shpreson BE-ja ta shohë Kosovën të bëjë që ato masa të kthehen dhe të mos jenë më në fuqi”.

Sa i përket të drejtave të komuniteteve joshumicë që jetojnë në Kosovë, Hovenier në takim me gazetarët shtoi se tha se Kosova është shtet shumetnik, ku ofrohet mbrojtja e nevojshme për komunitetet.

“Besoj se disa nga këto komunitete janë të pakënaqura. Ata ndiejnë se nuk po marrin mbrojtjen ligjore dhe nganjëherë edhe respektin që po e kërkojnë brenda shoqërisë apo edhe nga Qeveria. Pjesë e dialogut tonë me Qeverinë dhe organizata të shoqërisë civile se si mund të ndihmojmë Kosovën që të jetë më e suksesshme në integrimin dhe që të gjithë qytetarët, pavarësisht etnisë të tyre, të ndiejnë se kjo është shtëpia e tyre, ku trajtohen me dinjitet, respekt dhe siguri. Ka pasur përparim në shumë fusha, por mendoj se ende ka shumë punë që duhet bërë”, tha ai, raporton Ekonomia Online.

Hovenier komenton dorëheqjen e Gowing, kërkon më shumë siguri për gazetarët

Ambasadori i Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier në një takim me një grup gazetarësh të medieve të Kosovës, ka komentuar dorëheqjen e Elizabeth Gowing, këshilltare e kryeministrit Kurti, nga Zyra për Çështje të Komuniteteve e ZKM-së.

Ambasadori Hovenier, i pyetur nga Ekonomia Online, për këtë çështje, u shpreh se grantet edhe pse ishin planifikuar që të shkonin për komunitetet minoritare në Kosovë, përfunduan te organizatat që përfaqësojnë komunitetin shumicë, me ç’rast e sheh shqetësimin e Gowing si të arsyeshëm.

“Nuk mund të flas për akuzat për korrupsion, dhe nuk dua të flas për Elizabeth Gowing, por nuk besoj se kjo ka qenë çështja. Besoj se çështja ka qenë një proces nëpërmjet të cilit grante janë ofruar nga kjo zyre e çështjeve të komuniteteve dhe qëllimi i këtyre granteve, siç e kam kuptuar unë ka qenë që të ndihmojë t’i mbështesë këto grupe minoritare dhe shqetësimet e tyre dhe prapë në një mënyrë procesi i granteve rezultoi që shumica e granteve të shkojnë në organizata që përfaqësojnë shumicën etnike në Kosovë”.

“Kjo është çka e shqetësoi atë. Siç e kam kuptuar unë, dhe është një shqetësim i arsyeshëm. Dhe kjo zyre e çështjeve me komunitete është zyre me rëndësi shumë të madhe. Siç e kam kuptuar unë janë bërë më shumë se dy vite që prej kur ajo ka qenë në krye të asaj zyre, shpresojmë që kjo zyre tejet e rëndësishme do të adresojë këto çështje për të cilat fola”.

Hovenier, tha se Qeveria e Kosovës duhet të marrë hapa kur gazetarët kërcënohen gjersa janë duke e bërë punën e tyre.

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, duke iu përgjigjur Ekonomia Online, tha se gazetaria është pushteti i katërt dhe si i tillë ka rol fundamentale në informimin e publikut për të vënë në pah abuzime potenciale, gjë që sipas tij, shërben në mirëmbajtjen e një demokracie të mirëfilltë.

“Mendoj që është e udhës që Qeveria e Kosovë duhet të marrë e bëjë hapa kur gazetarët në Kosovë kërcënohen përderisa janë në krye të detyrës. Kjo është përgjegjësia e autoriteteve në Kosovë. Shumë mund të pajtohen se ne e kemi bërë më të mirën sa i përket lirisë së gazetarëve për të operuar pa pengesa e kërcënime dhe sigurisht pa u sulmuar, dhe kjo është dispozitë fundamentale e politikbërjes. Ne e marrim shumë seriozisht këtë çështje. Në një intervistë të mëparshme flas në një kontekst tjetër se si një nga baballarët themelues, Thomas Jefferson, ka thënë se gazetaria është pushteti i katërt, sepse roli që gazetarët luajnë në informimin e publikut për të sjell në dritë probleme a abuzime potenciale është në mënyrë kritike e rëndësishme për një demokraci të shëndetshme”, u shpreh Hovenier.

Ai shtoi se presin që autoritetet e institucioneve të Kosovës të mbajnë përgjegjës individët që në çdo lloj forme veprojnë kundër gazetarëve.

“Sigurisht që ne e dënojmë çdo kërcënim ndaj gazetarëve, njëjtë siç e dënojmë çdo tentativë për të armiqësuar ose për të kërcënuar a penguar punën e tyre, dhe kjo mbetet qëndrimi ynë. Por presim që autoritetet e institucioneve të Kosovës të mbajnë përgjegjës njerëzit që fizikisht ose nëpërmjet rrjeteve sociale a mënyrave të tjera tentojnë të kërcënojnë apo diskurajojnë a veprojnë kundër gazetarëve”, tha Hovenier.

Të ngjashme