Hoxha dhe Lumezi bashkërisht në luftën kundër korrupsionit Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha priti sot në takim Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi me të cilin theksuan bashkëpunim në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ajo përgëzoi Kryeprokurorin Lumezi për angazhimin e vazhdueshëm për pavarësinë e sistemit prokurorial, ndërsa potencoi qëndrimet dhe përkushtimin e saj që Prokuroria do të ketë mbështetjen e fuqishme në funksionimin sa më të mirë të saj.
Ministrja Hoxha deklaroi se është e përkushtuar në fuqizimin dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë, duke ofruar bashkëpunim dhe mbështetje të plotë. Ajo vuri në pah rëndësinë e transparencës në rritjen e efikasitetit, përgjegjshmërisë dhe luftimin pa kompromis të dukurive negative në drejtësi.
“U pajtuam që të kemi një bashkëpunim në luftimin e krimit të organizuar, të korrupsionit dhe që të bashkëpunojmë më tutje”, u shpreh Hoxha.
Lumezi, e njoftoi ministren Hoxha me të arriturat, sfidat dhe vështirësitë me të cilat përballet Prokuroria e Kosovës, ndërsa theksoi se është e nevojshme të bëhet ndryshimi i Kodit Penal dhe Procedurës penale të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në rritjen e efikasitetit të gjykatave dhe gjykimin e paanshëm.
“U dakorduam që të vazhdojmë bashkëpunimin tonë që e kemi pas deri më tani me ministrin e kaluar, por edhe tash me ministren e re. Ne u dakorduam që të bëjmë disa ekipe të përbashkëta që do të merren me krime, në veçanti me krimet gjatë luftës”, tha Lumezi.
Bashkëbiseduesit e vlerësuan nevojën e krijimit të grupeve punuese për ndryshimet në Kodin penal dhe Kodin e Procedurës penale, trajtimin e disa fushave specifike me prioritet, me ç’rast ministrja Hoxha u zotua për ofrimin e ndihmës së plotë gjatë këtyre proceseve.