Ramush Haradinaj nuk do të ekstradohet në Serbi. Nëse duhet të kërkohet drejtësi për Haradinajn, ajo duhet të ndodhë në Kosovë dhe jo në Serbi.
Kështu ka thënë për Ekonomia Online, Abit Hoxha, njohës i çështjeve të sigurisë, i cili beson se ish-kryeministri njëherësh kryetar i AAK-së do ta kalojë edhe këtë sfidë.
“Mendoj se nëse duhet të ketë drejtësi për Haradinajn, duhet të ketë në Kosovë. Sepse Haradinaj është qytetar i Republikës së Kosovës dhe sistemi i drejtësisë këtu funksionon mirë. Haradinaj nuk mund të ekstradohet në Serbi për diçka që dyshohet se ka kryer në Kosovë”, ka thënë ai.
Hoxha megjithatë ka apeluar tek institucionet e Kosovës që të merren shumë seriozisht me akuzat e fabrikuara në Serbi për qytetarët e Kosovës.
“Kuzhinat e politikës dhe drejtësisë serbe ne i njohim shumë mirë, por besoj që Haradinaj do ta kalojë edhe këtë sfidë. Është koha e fundit që institucionet e Kosovës të merren shumë seriozisht me këtë punën e akuzave të fabrikuara në Serbi për qytetarët e Kosovës”, ka thënë ai.
Njohësi i çështjeve të sigurisë ka thënë se këto çështje duhet të destinohen në Bruksel, Uashington dhe vende të tjera, si dhe duhet të ketë trysni politike që Kosova të jetë pjesë e Interpolit, që të ketë mundësi ta thotë fjalën e vet për problemet e tilla.
Ai ka thënë se akuzat të fabrikuara nga ana e Serbisë do të ketë edhe më tutje, por beson se Franca nuk ka interes politik që ta mbajë Haradinajn atje, ndërsa çështjet administrative sipas tij duhet të përfundojnë.