Ministria e Drejtësisë përmes një ceremonie ka bërë ndarjen e certifikatave për 97 kandidatët të cilët e kanë kaluar provimin e Jurisprudencës.
Marrja e certifikimit të Jurisprudencës u vlerësua se është i rëndësishëm për kandidatët dhe për sistemin e drejtësisë në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha iu drejtua studentëve dhe të pranishmëve të tjerë duke thënë se e ardhmja e sistemit të drejtësisë në Kosovë tash e tutje do jetë në duart e rinisë.
“Ju kandidatë do të jeni ata që do të mbroni qytetarin dhe vlerat universale të njeriut. Vendimet e juaja do të jenë zëri dhe e ardhmja e vendit tonë. Ju do t’i keni hapur dyert e një sistemi që kërkon luftim e krimit dhe padrejtësive, duke iu ofruar qytetarëve të Kosovës siguri. Ju do të jeni ata që do të rrisni besimin e qytetarëve në drejtësi”, ka thënë Hoxha .
Ajo gjithashtu iu premtoi këtyre kandidatëve që do të kenë përkrahjen e saj pavarësisht se çka zgjedhin të bëhen avokat, prokuror apo gjyqtar.
Kryeprokurori i Shtetit, Aeksandër Lumezi, ka thënë se momenti i marrjes së certifikimit të Jurisprudencës është i rëndësishëm jo vetëm për kandidatët, por edhe për sistemin e drejtësisë në Kosovë.
“Shpresoj që e keni kuptuar që ligji është ai që bënë njeriun të ngre kokën të kërkoj, të jetë i arsimuar dhe të marrë dije . Është ligji ai që sjell siguri, mbron familjen, prandaj gjatë profesionit tuaj duhet të tregoni profesionlizëm dhe guxim. Ju sot jeni vetëm një hap para Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial. Gjykata dhe Prokuroria janë institucione ku juristët mund të japin kontributin më të madh. Unë e pranoj që Këshilli Prokurorial ka nevojë për kuadro të reja”, tha Lumezi.
Kurse Kryesuesi i Këshillit Gjyqësorë të Kosovës, Nehat Idrizi, ka thënë se kjo ngjarje shton shpresat që sistemi i drejtësisë po mbushet me njerëzit e duhur, të rinj dhe plotë ambicie.
“Kjo ngjarje na shton shpresat që sistemi i drejtësisë po mbushet me njerëz të rinj. Me detyrat që do i merrni do të keni edhe sfida, por që çdo herë duhet pasur mendjen në drejtësi“, theksoi ai.