Hoxha: E konsideroj korrupsion politik nëse zgjidhen 4 komuna të përfitojnë më shumë

Prishtinë | 12 Dhj 2023 | 22:10 | Nga Ekonomia Online

Analisti Ylli Hoxha, i njohur për qëndrimet në përkrahje të Qeverisë Kurti, e konsideron korrupsion politik përfitimin e katër komunave që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje, partia në pushtet, nga shpërndarja e buxhetit për projekte të reja.

Në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ku po diskutohet për shpërndarjen buxhetore nga Qeveria e Kosovës lidhur me investimet kapitale, Hoxha ka thënë se deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk duhet të votojnë pro këtij buxheti.

“Lëvizja Vetëvendosje ka ardhur me një premtim të madh, i cili ka me qenë ndryshe nga Hashim Thaçi, Isa Mustafës, Ramushit, LDK-së, rrjetit klientelist … dhe qytetarët e kanë besuar. Vendimet që i ndajnë këto projekte e jep shenjën e hidhëtisë për qytetarët e Kosovës. Nuk i përket LVV-së ta bëjë këtë. Nëse prej 13 komunave zgjidhen katër dhe përfitojnë më së shumti, për mua është problematike, e konsideroj korrupsion politik, sepse korrupsioni nuk është vetëm të vjedhësh, por është edhe dominimin politik që e bën ti me investimet… duhet të jetë në kritikë meqë buxheti nuk është aprovuar në Kuvend, duhet të ndryshohet, sepse nuk është e pranueshme”, tha ai.

“Nuk ka gjë më të shpifur në këtë shoqëri se rajonalizimi, se militantizmi brenda një përkatësie të caktuar. Kurti nuk e ka këtë mandat të bëjë këtë gjë, e ka marrë mandantin të luftojë këtë gjë”, shtoi Hoxha.

Të ngjashme