Në mbledhjen e Qeverisë, Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka diskutuar për dy tema në kuadër të procesit të Integrimit Evropian. Çështja e parë është Raportit i vendit dhe e dyta, Qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit, zbatimi i Planit të Veprimit për Racionalizimin e Agjencive si dhe vazhdimin e emërimeve në pozita të larta në shërbim publik pa ndërhyrje politike.
Me këtë rast, Ministrja ftoi institucionet për përmbushjen e kushteve, ndryshe Raporti për vendin për vitin 2017, nuk pritet të jetë shumë optimist.
Në kuadër të përgatitjeve të Raportit për vendin, Ministrja Hoxha ka theksuar se Ministria ka koordinuar dorëzimin e dy kontributeve të institucioneve shtetërore që kanë përbërë inputin drejt ofrimit të të gjitha informatave relavante për Komisionin Evropian.
“Raporti do të ofroj vlerësimin në dy nivele, në kuadër të çdo kapitulli, Nivelin e përgjithshëm të përputhshmërisë me standardet Evropiane, si dhe Progresin e arritur që nga Raporti i fundit, të vitit 2016”, theksoi Ministrja Hoxha dhe ceku se pritet raport real i gjendjes në Kosovë, gjendja nuk ka ndryshuar shumë që nga vitit 2016 në pjesën dërmuese të kapitujve.
Ministrja ka informuar kabinetin qeveritar mbi gjendjen aktuale të zbatimit të Planit të Veprimit të ERA-s deri në fund të Marsit, si dhe hapat e dakorduar me institucionet e linjës për përmbushjen e veprimeve të mbetura dhe afatet. Këta hapa, theksoi Ministrja Hoxha, janë dakorduar në takimin e Komitetit Punues, të cilin e ka kryesuar më 15 Mars në prezencë të gjitha institucioneve përgjegjëse.
“Sa i përket shtyllës së parë, Qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit, presim zbatimin e Planit të Veprimit për Racionalizimin e Agjencive, si dhe vazhdimin e emërimeve në pozita të larta në shërbim publik pa ndërhyrje politike”, theksoi Hoxha, pritet miratimi i Kodit Penal dhe deri në fund të Qershorit pritet miratimi i Projekt-kodit të Procedurës Penale”.
“Kuvendi, vuri në dukje Ministrja, duhet të vazhdojë me procedurat e miratimit sa i përket Projektligjit për Prokurorin e Shtetit dhe Projektligjit për Parandalimin Konfliktit të Interesit. Pakoja ligjore për Shërbimin Civil, pagat dhe organizimin e administratës publike, pritet miratimi deri Qershor të këtij viti”.
“Sa i përket shtyllës së dytë, theksoi Ministrja Hoxha, Konkurrueshmëria dhe klima e investimeve, ka nisur përditësimi i Regjistrit online për leje dhe licenca dhe duhet të miratohen deri më 15 prill. Rekrutimi i stafit të Departamentit të Ndihmës Shtetërore pritet të përfundojë deri në fund të Prillit, theksoi Ministrja Hoxha, ndërsa Plani i Veprimit i Strategjisë për luftimin e ekonomisë joformale duhet të finalizohet, po ashtu, nga Ministria e Financave gjatë muajit prill”.
“Lidhur me tri nën-protokollet (për kontroll doganor, policor dhe fitosanitar) që dalin nga marrëveshja e vitit 2011 për transport hekurudhor me Maqedoninë, deri më tani ka pasur vonesa nga pala maqedonase, theksoi Ministrja, por është duke u punuar që këto të nënshkruhen në mbledhjen e përbashkët të dy Qeverive që do të mbahet këtë muaj”.
“Projektligji për eficiencë të energjisë është në fazën finale të përgatitjes nga ana e MZHE-së dhe presim miratimin e tij deri në fund të Prillit, theksoi Ministrja Hoxha, ndërsa në kuadër të shtyllës së tretë, Punësimi dhe arsimi, është finalizuar Rregullorja për Bordin Këshillëdhënës të Agjencisë së Punësimit dhe do të miratohet së shpejti, në një nga takimet e ardhshme të Bordit”.
“Në lidhje me sigurimin e buxhetit të nevojshëm për zbatimin e Planit Strategjik të Arsimit, si dhe funksionalizimin e Agjencisë për Kurikulë, Standarde dhe Vlerësim, janë kërkuar mjete shtesë nga Ministria e Financave dhe do të kërkohen fonde shtesë nga donatorët. Gjatë muajit prill do të ftoj takimin e radhës të Komitetit Punues për të shqyrtuar se sa kemi bërë progres në përmbushjen e veprimeve që jemi dakorduar dhe do të ju mbaj të informuar për ecurinë e zbatimit të veprimeve respektive”, theksoi Ministrja Hoxha.