Kuvendi i Kosovës në seancën e fundit para shkuarjes në pushim, nuk ka arritur ta votojë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.
E për dështimin e votimit të këtij projektligji, sipas deputetit të PDK-së, Sejdi Hoxha, fajtorë ka qenë koalicioni qeverisës.
Hoxha në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se Qeveria e ka për detyrë që sa më shpejtë ta kalojë këtë projektligj.
“Pjesa më e madhe e deputetëve që kanë qenë në qeveri nuk kanë qenë prezent fare në mbledhjen kur është diskutuar ligji mbi rimëkëmbje ekonomike, dhe kemi dëgjuar ministra nga qeveria duke folur për papërgjegjësinë e deputetëve, ndërsa edhe vet ata ministra nuk kanë qenë të pranishëm ditën kur është diskutuar ligji mbi rimëkëmbjen ekonomike në Kuvend”.
“Është obligim i qeverisë që sa më shpejt ta kalojë ligjin për rimëkëmbje ekonomike, qytetarët dhe bizneset kanë shumë nevojë dhe kanë marr përgjegjësi me udhëheq qeverinë dhe kanë obligim që sa më shpejt ta aprovojnë ligjin mbi rimëkëmbjen ekonomike”.
Kuvendi i Kosovës, ditë më parë ka votuar edhe Komisionin Hetimor për procesin e privatizimit. E sipas Hoxhës, kjo nismë e cila është bërë nga PDK, do të zbardhë dyshimet e ngritura gjatë procesit të privatizimit që nga paslufta.
Hoxha ka thënë se ky proces nuk do të jetë i lehtë, por që puna e komisionit ka nisur me një dinamikë të lartë.
“Ky komision është themeluar me iniciativën e PDK-së, sepse është hedhur shumë baltë mbi PDK-në dhe ka qenë iniciativë e kryetarit Veseli që me hedh dritë mbi këtë proces me pa kush janë privatizuesit cila është lidhja e tyre me partitë politike në Kosovë. Partia Demokratike e Kosovës, nuk do të lejojë as grup dhe as individ të caktuar që të manipulojnë apo të shfrytëzojnë pronën publike të qytetarëve të Kosovës”.
“Është një proces jo i lehtë për arsye se janë qindra privatizime që kanë ndodhur në Kosovë dhe është një periudhë rreth 20 vjeçare për të cilën po flasim dhe nuk është e lehtë për një periudhë 6 mujore një komision të arrij të zbardhë të gjithë procesin e privatizimit e deri më tani, por e rëndësishme është që puna ka filluar me një dinamik të mirë, me takime të shpeshta, dhe pasi të kalojë pushimi nga deputetët do të punojmë maksimalisht që këtë proces ta hartojmë një raport përfundimtar që do të zbardh fakte mbi këtë proces”, është shprehur ai.
Sa i përket fillimit të vitit të ri shkollor, Hoxha thotë se Qeveria nuk ka bërë përgatitjet e duhura për fillimin e vitit të ri shkollor.
Sipas tij, është skandaloze, fakti që më rishikim të buxhetit nuk janë ndarë fonde shtesë për Ministrinë e Arsimit.
Ministria e Arsimit, Ministria e Shëndetësisë dhe IKShPK-ja është dashur që si tre mekanizma kryesor ta hartojnë një udhëzues profesional dhe ti njoftojnë edhe familjarët edhe nxënësit edhe drejtorët e shkollave se si do të funksionojë mësimi nga data 1 shtator”.
“Në atë udhëzues do të duhej të përmendeshin faktet kryesore se cila do të jetë distanca sociale mes nxënësve si do të çështja e furnizimit me dezinfektues të duarve dhe cili do të jetë transporti për nxënësit mos me qenë shumë nxënës në një mjet transporti. Duhet rritja e stafit shëndetësor që përkujdesen për shëndetin e nxënësve dhe rritjen e numrit të testimeve”.
“Më skandalozja është që ministria deklaron që nuk kemi buxhet shtesë e kanë rishikuar ligjin e buxhetit në kohë të pandemisë, ndërsa nuk kanë planifikuar buxhet shtesë për ta nisur mësimin në shkolla më datën 1 shtator. Krejt këta faktorë që i përmenda kanë kosto financiare, dhe Kosova nuk është në atë gjendje që të kërkojë vetëm nga kompanitë private me ndihmuar qeverinë për me e nisë mësimin”.
Sipas tij, mësimi online, i cili është bërë ka qenë i dështuar, për faktin se shumë nxënës nuk kanë pasur qaje gjatë këtij procesi, për shkak të kushteve ekonomike.