Me Kodin e Procedurës Penale parashihet kompensimi i viktimave të krimit

Prishtinë | 17 Tet 2016 | 14:20 | Nga

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, sot ka marrë pjesë në konferencën me temën “Java e viktimave të krimit”, organizuar nën patronatin e kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, e ku të pranishëm ishin dhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie.

Ministrja Hoxha theksoi se diskutimi për viktimat e krimit përbën ndoshta njërën nga temat më të vështira dhe më të ndjeshme, duke e konsideruar edhe ndër detyrat urgjente të përgjegjësive. “Përkushtimi për të kontribuar në krijimin sa më të mirë të kushteve politike, juridike dhe sociale që të do të mund të ofronin drejtësi për viktimat e krimit, e konsideroj edhe si njërën nga detyrat më urgjente dhe më sfiduese, gjatë angazhimit tim”, deklaroi Hoxha.

Gjatë fjalës së rastit, ministrja e Drejtësisë vuri theksin te të drejtat e viktimës, të cilat përbëjnë korpusin juridik të atyre të drejtave që sot gëzojnë statusin e të drejtave universale njerëzore. Ajo tha se shkaku i rëndësisë që kanë këto të drejta, institucionet e Kosovës i kanë përfshirë ato në boshtin e sistemit kushtetues dhe juridik. “Struktura institucionale e një shteti modern demokratik ndërtohet mbi premisat e lirisë politike, autonomisë qytetare dhe barazisë individuale. Çfarëdo lloj sulmi mbi secilin individ të kësaj shoqërie dhe dhunim i të drejtave të tij, përbën edhe një atak të drejtpërdrejtë ndaj vlerave që formësojnë parimet e këtij rendi”.

Më tutje, Hoxha vuri në pah rëndësinë e miratimit të bazës ligjore për këtë çështje. “Miratimi i Kodit të Procedurës Penale, që parasheh edhe rastin e kompensimit të viktimave, si dhe Ligji për parandalimin dhe luftimin e trafikimit me njerëz dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit, përbëjnë vetëm disa nga nismat legjislative në përmbushjen e kësaj detyre. Me Kryeprokurorin jemi afër funksionalizimit të Komisionit për Kompensimin e viktimave me synim shqyrtimin e kërkesave konform ligjit”.

Rekomandimet që do të dalin nga kjo Konferencë, theksoi ministrja Dhurata Hoxha, së bashku me institucionet tjera, do të kontribuojnë në përmirësimin e kushteve dhe ofrimin e drejtësisë për viktimat e krimit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme