Naim Hoxha, anëtar i komitetit për energjetikë në Vetëvendosje, thotë se Kosova mund të tejkalojë problemet me energjinë elektrike vetëm nëse e heqë kompaninë për Distribuim dhe Furnizim, KEDS.
Sipas tij, projekti i privatizimit të Distribucionit dhe Furnizimit të KEK-ut është trumbetuar si shpëtimtar i energjisë. Megjithatë, për KTV, Hoxha ka thënë se ky projekt po del të jetë krejtësisht i kundërti.
“Shpëtimi kryesor për sistemin energjetik është largimi i KEDS-it”, ka thënë ai duke shtuar se për këtë largim Kosova duhet të paguajë dëmshpërblim “për çka edhe jemi mësuar”.
Ai ka lënë fajtor qeverinë që s’e ka marrë kontrollin e sistemit energjetik.
Sipas Hoxhës, edhe kontrata mes shtetit dhe kompanisë amerikane “Contour Global” për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” është e turpshme.
“Kontrata për Kosovën e Re është turp. Nëse një megavat orë kushton më shtrenjtë se një e importuar është absurde. Lëreni më nëse hyjmë në telashet tjera për ta prodhuar një megavat që do të kushtojë deri në 80 euro. Kushdo që të jetë më racional është dashur të frenojë këtë pikë dhe të thotë se e tejkalon mundësinë e Kosovës së varfër. Ne mendojmë se popullata duhet të vetëdijesohet. Është ardhur deri te nënshkrimi i kontratës pa biseduar fare me qytetarë. Kjo është si me e shitë tokën e dajës, pa i pyetur nipat”, ka thënë ai.