Drejtori i Komisionit Evropian për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim, Christian Danielsson, dhe Thomas Mayr-Harting nga EEAS, janë takuar me ministren e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, raporton Ekonomia Online.
Ministrja Hoxha, ka theksuar se në Strategjinë për zgjerim është definuar perspektiva evropiane e Kosovës, dhe sigurisht se edhe nga ana jonë e kemi konfirmuar se procesi integrues është prioritet madhor i të gjitha institucioneve të vendit, zbatimi i MSA-së dhe Agjenda e Reforma Evropiane.
“Në këto procese, ne si shtet, kemi marrë detyra të cilat janë bërë punë ditore e institucioneve tona. Sundimi i ligjit, mirëqenia e qytetarëve tanë, fqinjësia e mirë, ngritja e konkurrueshmërisë së kompanive vendore por edhe kapituj të tjerë të MSA-së, janë detyra të institucineve tona të cilat duhet përmbushur sa më parë. Presim që puna jonë të vlerësohet, ne nuk kemi alternativë tjetër përpos perspektivës evropiane andaj do të intensifikojmë punën tonë në drejtim të përmbushjes së detyrave tona dhe implementimit të MSA-së”, theksoi Ministrja Hoxha.
Danielsson, Drejtori i përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim i Komisionit Evropian, ka theksuar se vlerëson punën e bërë në Kosovë, por duhet shtuar edhe më tej punën e institucioneve në përmbushjen e MSA-së dhe Agjendën e Reformave Evropiane.
Paraprakisht ata morën pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes mes Ministrisë së Financave (MF) me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) për Grantin për projektin për Rehabilitimin e Linjës Hekurudhore 10.
Marrëveshja është nënshkruar nga Ministri i Financave Bedri Hamza dhe Drejtoresha Menaxhuese për Evropën Qendrore dhe Juglindore e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim Charlotte Ruhe.