Vendimi i Gjykatës së Colmanit për lirimin me kusht të Ramush Haradinajt, nuk është aspak i përshtatshëm edhe pse është një fitore në këtë betejë. Kështu vlerëson Abit Hoxha, njohës i çështjeve të sigurisë dhe medieve.
Në një prononcim për Ekonomia Online, Hoxha thotë se detyrimi për paraqitje dy herë në javë në Polici është i panevojshëm pasi që Haradinaj asnjëherë nuk ka ikur nga organet e drejtësisë.
“Gjykata është dashur ta ketë parasysh së Haradinaj nuk ishte në arrati apo nuk ishte duke ju shmangur drejtësisë por ishte në një udhëtim. Si duket, gjykata dëshiron të iniciojë hetim më të gjerë për kërkesën e Serbisë për ekstradim”, thotë Hoxha.
Ai thotë se ndalimi i Haradinajt do të ketë ndikim në aspektin politik, pasi që ka për qëllim denigrimin e Kosovës dhe futjen e saj në lajmet ndërkombëtare me konotacion negativ.
“Kërkesa për ekstradim të Haradinajt është e pakuptimtë në shumë nivele juridike. Por mendoj se qëllimi i Serbisë është që nga ky rast të përfitojë politikisht, duke u munduar që të denigrojë Kosovën në rrafshin diplomatik përmes trillimeve për kinse krime lufte”, thotë Hoxha.