Hoxha pas eliminimit të Gjilanit: Gjyqtari ishte skandaloz

Prishtinë | 20 Kor 2023 | 22:59 | Nga Ekonomia Online

Skuadra e Superligës së Kosovës, Gjilani e ka mbyllur aventurën e fazën para-kualifikim në UEFA Conference League për sezonin 2023/24.

“Skifterët” u eliminuan nga skuadra Niedercorn Progres, pasi u mposhtën në “Fadil Vokrri” me rezultatin 0 me 2,

Golat në këtë ndeshje i shënuan: Antoine Mazure-Hanus në minutën e 65’të dhe Jarmouni në minutat e fundit të ndeshjes.

Kujtojmë që skuadra e Duros ishte me një lojtar më pak në fushë qysh nga minuta e 14’të, pasi me të kuq direkt u ndëshkua Egzon Sinani.

Ndeshja e parë në Luksemburg ishte mbyllur me rezultat të barabartë 2 me 2, dhe kështu me rezultat të përgjithshëm ekipi i Progres fiton 4 me 2 dhe shkon në raundin e dytë.

Mbrojtësi i krahut të majtë i Gjilanit, Yll Hoxha, ka thënë se gjilanasit kanë luajtur lojë të mirë, por fati nuk ishte në anën e tyre.

Ai pas ndeshjes theksoi se për humbjen 2:0 në “Fadil Vokrri” në Prishtinë nga Progres Niederkorni, rol pati edhe gjyqtari kryesor i ndeshjes.

“Realisht mund të them se kartoni i kuq ishte pika kyçe. Ne vazhduam në pjesën e parë fuqishëm por harxhuam shumë energji. Krijuam shumë raste. Mendoj se patëm tre raste por vetëm topi nuk hyri në portë. Dhamë maksimumin dhe mendoj se bëmë paraqitje dinjitoze. Kam besim te kjo skuadër. Dua t’i falënderoj lojtarët për angazhimin, por ky është futbolli. Kemi pritur se do ta kalojmë këtë ekip, sepse edhe atje luajtëm mirë në ndeshjen e parë. Edhe këtu filluam mirë”, tha fillimisht Hoxha.

“Kemi bërë më tepër se ata. Kartoni i kuq ndryshoi gjithçka në lojë. Mendoj që sot, gjyqtari ishte me të vërtetë skandaloz. Nuk dua të hyj në atë pjesë por më duket se po na nënvlerësojnë si shtet i vogël. Kjo nuk është në dorën tonë. Por e urojmë kundërshtarin për fitoren”, është shprehur Hoxha.

Të ngjashme