Policia e Kosovës shënon sot 17 vjetorin e themelimit, ndërkaq në Sytë 7 në Klan Kosova, zëdhënësi Daut Hoxha tha se deri tani policia qëndron institucioni më i besueshëm për qytetarët e Kosovës.
Zëdhënësi Hoxha, ka hedhur poshtë pretendimet se policia e Kosovës qëndron gjithnjë nën funksionimin e pushtetit ai tha se janë mjaft kompetent në zbatimin e ligjit dhe detyrave të përgjegjësisë ndaj të gjithë qytetarëve të vendit.
‘’Në fillim Policia e Kosovës ka filluar punën me 176 policë, ndërsa tani janë mbi 8 mijë policë e cila është një strukturë që mban në vete të gjitha detyrat për të gjitha departamentet e drejtësisë.’’
‘’Policia e Kosovës, përveç angazhimit të detyrave në funksion të rendit të qetësisë, është e angazhuar edhe në trajnim qoftë brenda apo jashtë vendit.’’
‘’Policia e Kosovës sipas rezultateve është e profesionalizuar në vend por edhe në rajon.’’
“Detyrat dhe përgjegjësitë e policisë, janë luftimi i krimeve pa marrë parasysh sfidat dhe gjendjen në të cilën punojmë”.
“Kemi arritur që ne si zyrtarë policorë, të kemi primatin e besimit të qytetarëve dhe ende vazhdojmë që të mbesim të parët që qytetarët e vendit kanë besim”.
“Detyrat dhe autorizimet, mandati i Policisë së Kosovës është në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës.’’
“Zyrtarët e policisë së Kosovës janë mjaft kompetent dhe nuk ka vend për dilema të tilla. Zyrtarët tanë kanë qenë pjesë e ceremonive edhe jashtë vendit dhe janë nën shërbimin e gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka përfunduar Hoxha, njofton Klan Kosova.