Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, mori pjesë në takimin e përbashkët me anëtarët e Grupit të Punës për Rajonin e Ballkanit Perëndimor (COWEB), të cilët po qëndrojnë në Kosovë, ku u informuan për angazhimet e deritashme për liberalizimin e vizave si dhe për hapat e mëtejmë për këtë proces, transmeton Ekonomia Online.
Ministrja Hoxha, sipas një komunikate për medie nga (MIE), ka theksuar se anëtarët e COWEB-it janë njoftuar, lidhur me reformat e ndërmarra në fusha të ndryshme me theks të veçantë për fuqizimin e sundimit të ligjit dhe përkushtimin për vazhdimin e reformave nga Agjenda Evropiane.
“Ne me përkushtim të plotë kemi kryer detyrat tona sa i takon liberalizimit të vizave duke vënë prioritet nacional edhe procesin integrues”, ka theksuar ministrja Hoxha, duke shtuar se pret përshpejtimin e këtij procesi, sepse sipas saj, janë realizuar të gjitha kushtet nga udhërrëfyesi dhe sivjet presin të realizohet lëvizja e lirë.
Hoxha ka ofruar të dhëna për anëtarët e COWEB-it për përparimin e Kosovës në agjendën evropiane, duke vlerësuar se liberalizimi i vizave sjell ndryshim rrënjësor në të gjitha fushat me interes për Kosovën.