Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, në Komisionin Parlamentar për Stabilizim Asociim dhe Këshillin për Stabilizim Asociim ka theksuar se Ministria e Drejtësisë është duke punuar intensivisht në realizimin e obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit dhe Agjendës Evropiane të Reformave.
“Të gjitha prioritetet tona në fushën e legjislacionit janë të reflektuara në Planin e Punës dhe Programin Legjislativ të Qeverisë së Kosovës për 2017. Gjithsesi, Ministria është duke punuar në përmbushjen e obligimeve që dalin nga Agjenda për Reforma Evropiane, e quajtur ERA”, theksoi ministrja Hoxha.
Ministria e Drejtësisë është duke punuar në aspektet përfundimtare organizative për fillimin e Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit. Ky proces është duke u bërë në bashkëpunim të ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare.
Në rend të parë, theksoi Ministrja, është Rishikimi i legjislacionit penal dhe atij kundër-korrupsionit si pjesë aktiviteteve për vitin 2017.
“Krahas përpjekjeve për plotësim ndryshimin e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale si dhe ligjeve anti-korrupsion, kemi themeluar Grupin Punues për hartimin e koncept dokumentit për “Rishikimin dhe miratimin e legjislacionit që e bën të detyrueshëm pezullimin dhe/ose largimin e zyrtarëve publik të akuzuar dhe dënuar për korrupsion”, theksoi ministrja Hoxha, për këtë, theksoi ajo, janë angazhuar dy Ekspert Gjerman për të ofruar ekspertizë në hartimin e këtij koncept dokumenti me të gjitha orientimet e nevojshme për këtë fushë komplekse.
Lidhur me ligjet, Ministrja vuri në pah se është hartuar projektligji për “Parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik”, i cili pas miratimit nga Qeveria, është në Kuvend. Projektligji është hartuar në harmoni të plotë me legjislacionin e BE-së dhe në bashkëpunim me përfaqësuesit e Agjencisë Kundër Korrupsionit, ekspertët e Këshillit të Evropës dhe Zyra e BE-së në Kosovë.
Sa i përket “Projektligjit për Prokurorin e Shtetit”, përkatësisht rishikimi i dispozitave që i referohen çështjes së emërimit të prokurorëve në Prokurorinë Speciale. Në bashkëpunim me Kryeprokurorin e Shtetit dhe Këshillin Prokurorial, Ministria do ta adresojë brenda 6 mujorit të parë të vitit 2017.
“Kemi themeluar grupin punues për të hartuar koncept dokumentin dhe pastaj edhe projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi Prokurorin e Shtetit, ku do të reflektohet ndryshimi i kërkuar që do të mundësoj rritjen e numrit të prokurorëve në Prokurorinë Speciale, me qellim që të fuqizohet Prokuroria Speciale në rrugën e saj për hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të korrupsionit dhe krimit të nivelit të lartë”, theksoi Ministrja.
Po ashtu, theksoi Ministrja, kemi themeluar Grupin Punues dhe Grupet Tematike për hartimin e Kodit Civil të Kosovës. Në këtë drejtim kemi mbështetjen e BE-së përmes një projekti që do të zgjasë nga shkurti 2017 deri në shkurt 2020.
“Ministria e Drejtësisë është në përfundim e sipër të procesit të vlerësimit të të gjitha projekteve dhe programeve të donatorëve të jashtëm në sektorin e drejtësisë me qëllim të rritjes efekteve të këtyre projekteve të shumta që janë duke u implementuar në sektorin e drejtësisë”, theksoi ministrja Hoxha, ky vlerësim i projekteve dhe programeve është duke u bërë sipas standardeve të OECD-së dhe po bëhet për herë të parë nga institucionet e Kosovës.
Ministrja Hoxha shprehu përkushtimin e Ministrisë së Drejtësisë për të përmbushur misionin e saj në krijimin e politikave dhe legjislacionit adekuat për sistemin e drejtësisë në përputhje me praktikat më të mira të BE-së.