Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eliza Hoxha i ka bërë thirrje Qeverise ta zgjidhë situatën me SBAShK-un dhe që mësimi të fillojë të hënën.
Hoxha e akuzoi qeverinë se nuk po shqetësohet për fëmijët, raporton Ekonomia Online.
Ajo në një konferencë për media, tha se Qeveria e Kosovës nuk shqetësohet fare për mbi 300 mijë nxënës që nuk po shkojnë në shkollë.
“Sesioni vjeshtor i ynë këtu në Kuvend filloi pikërisht me debatin për grevën për dy javë radhazi për të gjetur zgjidhje por që as rezoluta e këtij debati e cila thërret qeverinë e Kosovës dhe SBASHK-un që të gjejnë një zgjidhje që greva të mbyllet, t’i përafrojnë qëndrimet, t’i japin përfundim kësaj sage e mbi të gjitha mbi 300 mijë fëmijë të kthehen në banka shkollore”.
“E përderisa mendoj që kjo ka qenë një javë vendimtare ose mund të ketë qenë një javë vendimtare për gjetjen e zgjidhjes sepse edhe në Komisionin për Arsim dhe Kulturë tentuam që të kemi diskutim kushtimisht ta them por që edhe dje, në fakt pardje dhe sot në Komisionin për Arsim dhe Kulturë u pa sa e pavullnetshme dhe sa jo e gatshme është qeveria e Kosovës për të gjetur një zgjidhje në favor të dyja palëve”.
Hoxha i bëri thirrje kryeministrit Kurti, ministres së Arsimit dhe ministrit të Financave që me urgjence të gjejnë një zgjidhje dhe t’i dëgjojnë kërkesat dhe nevojat e mësimdhënësve, raporton EO.
“Praktikisht, nëse e shikojmë në aspektin e ndjeshmërisë dhe përjetimeve që i kemi pasur këto ditë duke qenë pjesë e debateve të tilla, kjo qeveri nuk shqetësohet fare për këta fëmijë që nuk shkojnë në shkollë”.
“Njëkohësisht krejt çka kemi parë deri sot nga kjo qeveri është në përkëmbje e vazhdueshme e dinjitetit të mësimdhënësit. Përbuzje, ofendime, përçarje dhe pikërisht kjo lloj gjuhe, kjo lloj qasjeje nuk mund të jetë në funksion të gjetjes së zgjidhjes andaj sot nga këtu e ftoj kryeministrin e Kosovës z. Kurtin, ministrin e Arsimit z. Nagavci, ministrin e Financave z. Murati, që të ulen me urgjencë gjatë javës, që ta gjejnë një zgjidhje që mësimi të fillojë të hënën që fëmijët e Kosovës të hënën të jenë në bankat shkollore”.