Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, gjatë qëndrimit në Strasbourg, është takuar me komisionarin e Bashkimit Evropian për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos, të cilin e ka njoftuar me punën që po bëjnë institucionet e Kosovës në fushën e integrimeve evropiane.
Në këtë takim, sikurse dhe në takime të tjera që ka zhvilluar në Strasbourg e Bruksel, ministrja Hoxha ka përsëritur se Kosova do të duhet të trajtohet njësoj si vendet tjera të Ballkanit Perëndimor dhe të përfshihet në planet për zgjerim të BE-së, me prioritet liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
“Kemi diskutuar dhe kam theksuar rëndësinë e çështjes së liberalizimit të vizave, se qytetarët e Kosovës e meritojnë lëvizjen e lirë; shpreha përkushtimin tonë si qeveri që edhe qytetarët e Republikës së Kosovës sa më shpejt të lëvizin të lirë”, tha Hoxha, në një prononcim për Ekonomia Online, pas takimit me komisionarin Avramopoulos.
Ministrja kosovare tha se e njoftoi komisionarin e BE-së për hapat që po ndërmerr Qeveria e Kosovës në zhvillimin ekonomik, reformat gjithëpërfshirëse si dhe përkushtimin për dinamizimin e angazhimit të Qeverisë së Kosovës në rrugën integruese evropiane. Ministrja ka kërkuar përkrahje për këto procese.
“Sot kisha takim me komisionarin Avramopoulos të cilin e njoftova në lidhje me zhvillimet e fundit, përkushtimin e qeverisë së re, përkushtimin tim personal, në ligje me agjendën dhe promovimin e agjendës evropiane, proceset nëpër të cilat po kalojmë, respektivisht implementimin e Agjendës Evropiane të Reformave (ERA), implementimin e MSA-së etj”.
“Fokusova dhe ritheksova përkushtimin tim personal për të arritur rezultate sa më të mëdha në fuqizimin e sundimit të ligjit, në luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe ndryshimin e kornizës ligjore për çështjet e zhvillimit ekonomik, konkurrueshmërisë dhe qeverisjen e mirë. Pra të gjitha këto obligime të cilat rrjedhin nga procesi i ERA-s dhe MSA-së”, theksoi kreu i MIE-s.
Sipas saj, komisionari i Avramopoulos ka vlerësuar të arriturat në Kosovë, duke shprehur mbështetjen e BE-së për Kosovën.
Ministrja Hoxha, po qëndron për një vizitë zyrtare, e para që prej marrjes së detyrës, në Bruksel dhe Strasbourg. Ajo, dje ka takuar komisionarin për Politika të Fqinjësisë dhe Zgjerim të BE-së, Johannes Hahn, me të cilin ka diskutuar mes tjerash për bllokadën aktuale të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Hoxha ka treguar se ka biseduar me Hahnin mënyrat si mund të ecet përpara që qytetarët e Kosovës të mund të lëvizin pa viza. Por, i është përsëritur se Kosova i ka kushtet që dihen për t’i plotësuar.