Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka shprehur solidaritet me refugjatët në Ditën e Refugjatëve.
Në Ditën Ndërkombëtare të Refugjatëve, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka kujtuar kohën kur shumë kosovarë u shpërngulën gjatë vitit 1999.
Duke kujtuar këtë kohë, ministrja Hoxha ka shprehur solidaritet me refugjatët, shkruan lajmi.net.
Në një postim në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook, Hoxha ka shkruar se, duke kujtuar vuajtjet e qytetarëve kosovarë në vitin 1999, duhet t’i ofrojmë shtëpi të dytë dhe siguri refugjatëve.
Postimi i plotë i Hoxhës pa ndërhyrje:
Shpreh solidaritetin tim të sinqertë me të gjithë refugjatët që sot janë të privuar nga e drejta e tyre themelore për jetë të dinjitetshme në atdheun e tyre.
Ky solidaritet, na kthen prapa për dy dekada, për të kujtuar me dhimbje të thellë qytetarët e vendit tim, të cilët u dëbuan nga vatrat e veta, vetëm pse ishin të një kombësie tjetër nga pushtuesi.
Ditët e kaluara si refugjatë, janë ditët më të rënda për qytetarët e vendit tonë, andaj, këtë ditë kujtojmë vuajtjet e refugjatëve në botë, për të ofruar shtëpi të dytë dhe siguri për refugjatët.