Gjatë kësaj jave pritet që në Kosovë të vijë një delegacion i Bashkimit Evropian, i cili do të mbledhë të dhëna nga institucionet e Kosovës lidhur me atë se sa është punuar në përmbushjen e kriterit të fundit për heqjen e vizave.
Kështu ka njoftuar për gazetën “Zëri” ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha, e cila ka thënë se vizita do të realizohet nga 3-5 maj.
Me këtë rast Hoxha ka bërë të ditur se institucionet tashmë kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme sa i përket kësaj çështjeje, ndërkohë është shprehur e bindur se Kosova do të marrë rezultate pozitive.
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka bërë të ditur se delegacioni i BE-së do të qëndrojë në Kosovë nga 3 deri më 5 maj.
“Delegacioni vlerësues i BE-së do të jetë në Kosovë javën e ardhshme, nga data 3-5 maj. Ata kanë paraparë një agjendë të ngjeshur takimesh me të gjitha institucionet, ku puna e tyre ndërlidhet me zbatimin e kriterit të rasteve të shenjëzuara, ndryshe të njohur edhe si ‘Track Record’, apo lufta kundër krimit dhe korrupsionit. Ministria e Integrimit ka bërë koordinimin e agjendës me misionin nga BE-ja dhe institucionet tona”, ka deklaruar Hoxha.
Me këtë rast, e para e MIE-së ka thënë se është duke u punuar me të gjitha institucionet në mënyrë që të ketë një prezantim sa më të mirë.
“Edhe javën e kaluar kam pasur takime me të gjitha institucionet që janë të angazhuara drejtpërdrejt në zbatimin e kriterit të luftimit të krimit dhe korrupsionit, që të jemi sa më të përgatitur me rastin e vizitës së këtij misioni vlerësues nga BE-ja. Çdo përpjekje për ta goditur krimin e organizuar dhe korrupsionin duhet vlerësuar”, ka shtuar ajo.
Ish-ministrja e Drejtësisë më tutje është shprehur e bindur se Kosova do të marrë vlerësim pozitiv sa i përket përmbushjes së kritereve për heqjen e vizave.
“E kam thënë edhe më herët se rruga jonë e vetme drejt integrimit është zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit në të gjitha nivelet. Besojmë se puna dhe progresi i institucioneve do të vlerësohet pozitivisht”, ka nënvizuar ajo gjatë bisedës.
Andaj, sipas Hoxhës, qytetarët e Kosovës do të mundë të lëvizin lirshëm brenda vitit 2018.
“Duke u bazuar në dinamikën e procesit të vendimmarrjes nga institucionet e BE-së dhe nga proceset e liberalizimit të vizave që kanë kaluar vendet e rajonit, unë pres që qytetarët tanë të lëvizin të lirë deri në fund të këtij viti. Ne kemi plotësuar 95 kriteret për këtë proces, është bërë punë e madhe dhe me të drejtë presim që izolimi i qytetarëve tanë të marrë fund deri në fund të këtij viti, pra ata të lëvizin të lirë”, është shprehur ajo.
Edhe kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Blerta Deliu-Kodra, është shprehur optimiste se Kosova do të marrë lajme pozitive pas vizitës së delegacionit të BE-së në Kosovë.
“Në fillim të muajit maj në Kosovë do të qëndrojë një delegacion i Bashkimit Evropian, i cili do ta vlerësojë punën që është bërë në luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit, si kriteri i fundit për liberalizimin e vizave. Pres që Kosova të marrë lajme të mira sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, meqë ka pasur rezultate konkrete në ‘track record’. Aktualisht janë 42 raste të shënjestruara të korrupsionit”, ka potencuar Deliu-Kodra.