Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka komentuar sot Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, duke thënë se mbështet plotësisht debatin e 3 gushtit për këtë temë. Por, ai tha se nuk është në kompetencë të tij të flas se çfarë rezultati do të prodhojë ky debat.
Sipas kryediplomatit kosovar, Kuvendit i takon të merret me Demarkacionin më shumë se sa Qeverisë së Kosovës.
“Shtetet anëtare të BE-së e kanë përkrahur procesin e demaskimit me Malin e Zi, në këtë drejtim çdo shtet e ka mbështetur një proces të tillë”, ka thënë ai.
Hoxhaj që këto komente i bëri në ceremoninë e procesit të vendosjes së vulës së parë apostile theksoi se në një periudhë prej dy vjetësh, Kosova duhet të demarkojë kufirin me Serbinë.
“Në bisedimet e radhës me Serbinë duhet të flitet edhe për demarkacionin me Serbinë”, ka thënë ai.
Debati për marrëveshjen e demarkacionit të kufirit të Kosovës me Malin e zi, do të organizohet me 3 gusht në sallë alternative të Kuvendit, ndërsa debati do të jetë i hapur, sipas kërkesës së një grupi të deputetëve.