Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë për “Wiener Zeitung” se demarkacioni me Malin e Zi nuk është çështje ndërshtetërore, por temë e brendshme politike e Kosovës.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka paralajmëruar se Kuvendi i Kosovës do të diskutojë për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi në janar apo në shkurt. Pastaj, sipas tij, deri në mars parlamenti pritet ta ratifikojë demarkacionin. “Kemi emëruar një komision, i cili do të merret me këtë çështje. Ai do të përgatisë një raport dhe do të ofrojë një vlerësim të saktë të gjendjes. Pastaj duhet të marrin vendim”, tha Hoxhaj në një intervistë për “Wiener Zeitung”.
Hoxhaj shpreson se komisioni i ri për demarkacionin do të ofrojë të dhëna të sakta, të cilat mund të diskutohen në parlament. Por, sipas politikanit të PDK-së, demarkacioni “nuk është çështje ndërshtetërore, sepse me Malin e Zi kemi marrëdhënie të shkëlqyera. Kjo është temë e politikës së brendshme me dimension në politikën e jashtme”.
Përkthyer në gjuhë të kuptueshme politike kjo deklaratë domethënë se Hoxhaj problemin e sheh vetëm te pala kosovare, rrjedhimisht ky është edhe një mesazh për kryeministrin Ramush Haradinaj se PDK nuk i beson përbetimeve të tij se do ta zhvendosë kufirin me Malin e Zi, siç ka premtuar Haradinaj gjatë fushatës së tij populliste për të ardhur në pushtet, transmeton dialogplus.
Hoxhaj llogarit se pas ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion do të krijohen kushtet që BE të heq vizat e Schengenit për qytetarët e Kosovës.
“Nuk kemi qenë të lumtur kur kemi parë se Kosova sa i përket liberalizimit të vizave duhet të plotësojë dyfish më shumë standarde se Serbia, Maqedonia apo Shqipëria. Këto vende është dashur të plotësojnë 45, 50 kritere, ne i kemi 96”.
Hoxhaj u ankua se BE “nuk po bën asgjë” për t’i bindur pesë shtetet e saj anëtare për ta njohur pavarësinë e Kosovës.