Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar sot Myftiun e Kosovës, Naim Tërnava, me të cilin kanë biseduar për koordinimin në lidhje me zhvillimet në vend dhe jashtë Kosovës në fushën e politikës së jashtme.
Ministri Hoxhaj e ka falënderuar Myftiun Tërnava për bashkëpunimin e vazhdueshëm që ka treguar, ndërsa kanë diskutuar në lidhje me koordinimin për njohje dhe lobim me vendet myslimane.
“Për një lobim sa më efektiv kur është fjala për njohjen nga vendet me shumicë myslimane, pa dyshim që nevojitet një koordinim sa më i madh me Bashkësinë Islame të Kosovës. E falënderova Myftiun Tërnava për bashkëpunimin e treguar gjatë këtij procesit të njohjeve, i cili është shumë i rëndësishëm për Kosovën”, ka thënë Hoxhaj.
Hoxhaj dhe Tërnava kanë diskutuar edhe për zhvillimet e fundit brenda dhe jashtë vendit, dhe për gjendjen e sigurisë në Kosovë.